Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 10:43

Gjirokastër – 10 objekte monumet kulture të kategorisë së parë dhe të dytë në zonën muzeale të qytetit të Gjirokastrës, në jug të vendit, janë përfshirë në një projekt investimesh, që drejtoria e trashëgimisë kulturore i ka paraqitur ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Olsi Lafe, drejtor i drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore në këtë ministri, tha për ATSH-në se 10 objekte në zonën muzeale të Gjirokastrës janë pjesë e një projekti restaurues që pritet të miratohet së shpejti. Sipas tij, këto objekte do të rikthehen në identitet pasi të bëhet miratimi i projektit dhe mandej çelja e fondeve nga ministria.

Objektet që do të restaurohen në qendrën historike në Gjirokastër janë përzgjedhur nga një grup specialistësh si objekte, ku duhet investuar domosdoshmërisht.

Ndërkaq, Lafe tha se një projekt tjetër i rëndesishëm është edhe ai për restaurimin e kishës 1500 vjeçare të Labovës së Kryqit në Gjirokastër, kalasë së Ali Pashës në Tepelenë dhe qytetit antik të Hadrianopulit, në Dropull të Gjirokastrës. Për të tre këto objekte me vlera të mëdha arkitektonike, kulturore dhe historike do të çelet fondi në 6 mujorin e dytë të këtij viti.

Gjatë 4 viteve të fundit, qeveria shqiptare ka akorduar 4,5 milionë euro për ringritjen e zonës muzeale në Gjirokastër.