Lajme Shqip Saturday, 17 December 2011 15:45

Gjirokastër – Policia e Gjirokastrës analizoi sot punën e bërë në 11 muajt e këtij viti, ku bë e ditur se vetëm gjatë kësaj periudhe në qarkun jugor janë evidentuar 517 vepra penale, me 572 autorë.

“Nga 517 vepra penale, 421 janë zbuluar, 181 janë arrestuar, 334 ndiqen në gjendje të lirë, ndërsa 47 autorë janë shpallur në kërkim”, tha Emri Vata, drejtori i policisë së qarkut të Gjirokastrës.

Sipas tij, sivjet u regjistruan 55 vepra penale më shumë se një vit më parë, por është rritur në 4.8% zbulueshmëria.

“Me treguesit e mësipërm, policia lokale ka arritur të realizojë plotësisht objektivat e përcaktuara në strategjinë vjetore”, thekson Vata, duke shtuar se sivjet është vënë re shtimi i veprave penale për trafikimin e lëndëve narkotike.

Vata thotë se gjatë 11 muajve të fundit janë evidentuar 86 vepra penale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, 16 më shumë se një vit më parë. Sipas tij, “në trafikim janë implikuar 92 autorë, nga të cilët 83 janë arrestuar, 9 janë shpallur në kërkim, ndërsa është blokuar 2655  kg marijuanë, 10% më shumë se viti i kaluar”.

Më tej, kreu i policisë së qarkut të Gjirokastrës, thotë se sivjet vihet re eliminimi i trafikimit të qënive njerëzore, kjo falë edhe liberalizimit të vizave. “Nga 18 raste që janë regjistruar një vit më parë, sivjet kemi një rast, por fatkeqësisht është rritur numri i personave që tentojnë të hyjnë në Greqi me dokumenta të falsifikuar”, përfundon Vata.