Tiranë – Partia Socialdemokrate(PSD) iu bashkua sot pakënaqësive të shprehura së fundi nga përfaqësues të partive të vogla lidhur me reformën zgjedhore, duke pretenduar për një marrëveshje të heshtur mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, që do të çonte në dobësimin e këtyre forcave në zgjedhjet e ardhshme të 2013-s.
Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, në një deklaratë për mediat, tha se reforma zgjedhore po dështon pasi sipas tij, “është e rekomanduar dhe e parafabrikuar, duke u përsëritur i njëjti skenar si në vitin 2009”.
“Nga njëra anë bëjmë reformë për të mos vjedhur votën dhe nga ana tjetër mbajmë sisteme që vjedhin mandatet. Ata që gjoja ‘bërtasin’ se ‘të vegjlit’ jetojnë në kurriz të “të mëdhenjve” shpikën ‘Dushkun e parë’ kundër ‘të vegjëlve’; pastaj shpikën “Dushkun e dytë’ për të komanduar votat midis të vegjëlve dhe së fundi mbajnë një sistem të ashtuquajtur ‘spanjoll’ për eliminimin e partive të tjera”, u shpreh kryetari i PSD-së.
Por, sipas tij, ajo që deformohet në këtë rast është vota e shqiptarëve, pasi në zgjedhjet e 2009-s ishin 160 mijë-170 mijë vota që nuk përfaqësohen në Kuvendin e Shqipërisë, bazuar në vullnetin e dhënë prej zgjedhësve, duke u deformuar jo pak, por 15-16 mandate.
Ndërkohë, kreu i PSD-së kërkoi që PS të mos sillet si një mbështetëse e PD-së në hapat që do të ndërmerren për reformën zgjedhore.
“Ne e kuptojmë PD-në, e cila kujton se do të përfitojë përsëri nga një sistem i mbrapshtë, por nuk kuptojmë qëndrimin e PS-së. Nuk ka justifikim që nuk do PD-ja, sepse në rast se PS pranon të bëjë reformë nën udhëheqjen e PD-së, sipas tekave të kësaj të fundit, ajo është e dështuar dhe kjo shkon në dëm të demokracisë dhe në dëm të opozitës”, tha Gjinushi.
PS, shtoi ai, nuk duhet të jetë në tavolinën e reformës për të shërbyer si alibi për reformat e rreme të PD-së.
Friday, 16 December 2011 18:00