Tiranë-Reforma zgjedhore është e domosdoshme, por duhet gjetur një Kod i ri Zgjedhor, i cili në ndryshim nga kodi aktual nuk duhet të jetë i ndërtuar për të goditur qëllimisht partitë e vogla”, tha të, kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi.
Sipas Gjinushit, “rëndësi ka që sistemet zgjedhore të jenë demokratike, por problemi në Shqipëri është se ato deformohen dhe zbatohen qëllimisht kundër partive të vogla”.
Për kreun e PSD-së, “sistemi duhet të përshatet në mënyrë logjike dhe jo si në zgjedhjet e fundit, ku socialdemokratët mbetën jashtë parlamentit, edhe pse mblodhën vota për të futur tre deputetë në Kuvend, vota të cilat në bazë të sistemit, i kaluan Partisë Socialiste”.
Në këtë drejtim, ai theksoi se “sa më të vogla të jenë deformimet, aq më mirë do të jetë”. “Në vitin 2005 u përdor fenomeni i Dushkut, që u ligjërua më pas. Nga ky sistem përfitoi vetëm shumica. Tani shpiket sistemi spanjoll që është i mirë apriori, por nuk zbatohet siç duhet.
Në një sistem proporcional duhet të dominojë proporcionaliteti”, tha ai.
Duke analizuar më tej situatën që krijohet në Shqipëri sa herë që ndryshohet Kodi Zgjedhor, Gjinushi tha se “sistemet zgjedhore zbatohen në mënyrë të tillë që të përfitojnë të mëdhenjtë në favor të partive të vogla”.
“Ajo që ka ndodhur deri tani tregon se në të vërtetë mungon vullneti politik për të bërë ndryshime. Sa i përket sistemeve, faktit që një partie të vogël i duhen më shumë vota se një tjetër për të fituar, nuk më duket një problem.
Çdo sistem ka hallka të dobëta dhe asnjë nuk e përkthen votën 100%, por nëse është proporcional, atëherë të bëhet proporcional dhe të mos të shtrembërohet”, tha në përfundim Gjinushi.
Tuesday, 25 October 2011 12:21