Lajme Shqip Sunday, 22 July 2012 08:30

Prishtinë – Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjilan e ka përshëndetur arrestimin e drejtorit të Spitalit Regjional në Gjilan, Xhavit Hajdari. Kjo degë po ashtu reagon ndaj deklaratave të LDK-së të cilët janë vënë në mbrojtje të Hajdarit, duke e cilësuar arrestimin si vepër të PDK-së në pushtet.

“LDK ka mbrojtur dhe i ka shpërblyer kuadrot e saj, e sidomos ato që kanë qenë shkelësit më të mëdhenj të ligjit, uzurpatorët e pronës publike mu në mes të qytetit sic është Xhavit Hajdari”, thuhet në një komunikatë të kësaj partie në Gjilan.

“Nëse qëndron ajo çfarë u tha këto ditë në të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike, PDK nuk ia futi paratë në xhep Xhavit Hajdarit”, thuhet më tej në deklaratë.

Dega e PDK-së në Gjilan shprehet se në vazhdimësi e ka ngritur shqetësimin e saj për gjendjen në Spitalin e Gjilanit si rrjedhojë e keqpërdorimeve të shumta nga drejtori Xhavit Hajdari.

“PDK e Gjilanit, nuk merret me skenar të asnjë lloji, e aq më pak të këtij niveli, sepse dukuritë devijante në shoqëri i kemi thënë e denoncuar gjithherë hapur e publikisht. Ndaj ne përshëndesim arrestimin e drejtorit të spitalit regjional të Gjilanit”, thuhet në komunikatën e cila mban nënshkrimin e kryetarit të degës Izmi Zeka. (LajmeShqip.com)