Lajme Shqip Friday, 18 May 2012 12:07

Beograd – Gjendja e sigurisë në Kosovë është e ndjeshme dhe ka rrezik që ajo të ndërlikohet, meqë shumë probleme nuk janë zgjidhur dhe kjo ndikon drejtpërdrejtë në situatën e sigurisë, citon FoNet shefin e Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, gjeneral kolonel Lubisha Dikoviç. Sipas fjalëve të tij, ushtria e Serbisë po ndjek të gjitha zhvillimet në rajon që mund të reflektohen në sigurinë e vendit dhe ajo ka bashkëpunim të mirë me fqinjtë.

“Sfida më e madhe për sigurinë në Serbi është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës”, është shprehur Dikoviç, për të shtuar se “Të jeni të sigurt se do të reagojmë në mënyrë adekuate në përputhje me vendimet dhe autorizimet ndaj çdo përpjekje për të eksportuar krizën nga kjo krahinë”, siç e quan ai Republikën e pavarur të Kosovës, “në Serbinë qendrore”.

Ai tha se Ushtria e Serbisë e ka planin e parandalimit të krizës dhe aftësinë që t’i përgjigjet rolit të vet kushtetues.

Sa i përket Kosovës, autoriteti kryesor sipas Marrëveshjes teknike-ushtarake është KFOR-i, që Dikoviqi shprehet të jetë i sigurt se mund t’u përgjigjet atyre sfidave.

“Ka mundësi të bëhen përpjekje për eksportimin e destabilitetit në hapësirat e Serbisë qendrore, por kemi forë e aftësi të pengojmë përpjekjet e tila dhe t’i mbrojmë qytetarët”, citohet Dikoviq. (LajmeShqip.com)