Tiranë – Avokati i Popullit organizoi sot paradite një tryezë të rrumbullakët ku bën thirrje pë zgjidhjen e situatës ku ndodhen më shumë se 37 familjet rome të cilat u dëbuan nga kampi që kishin ngritur tek ish ndërmarrja artistike pasi trualli ishte pronë private.
Në tryezë janë të ftuar edhe Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, përfaqësues nga Ambasada amerikane, si dhe përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Punës dhe Cështjeve Sociale
Avokati i Popullit tha se “romët po dëbohen padrejtësisht” dhe i kërkoi Burgajt të hetojë, raporton Shqiptarja.
“Duhet zgjidhje emergjente për çështjen e romëve. Duhet të përmbushim kriterin e 11 për marrjen e statusit”- tha Totozani, i cili bëri një panoramim të situatës së familjeve rome, ku fillimisht kanë qenë 67 familje, 30 u larguan, 37 familje kanë mbetur pa mundësi strehimi.
“Familjet rome po kalojnë momente të vështira, dhe dëbimi i tyre është i padrejtë. Koha nuk pret, duhet zgjidhje”- nënvizoi më tej Totozani.
Në emër të Federatës së romëve, Xheladin Taço kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve.
Edhe ambasadorët e huaj, shprehën shqetësimin për situatën. “Jemi të shqetësuar për aktet e shpërguljes së familjeve rome. Të gjenden zgjidhje për to”- tha zv/ambasadori amerikan i pranishëm në tryezë.
Një përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme tha se po analizohen të dhënat që janë mbledhur këto ditë për mundësinë e hetimit.
Nga ana e tij përfaqësuesi i Ministrisë së Punës propozon që romët të shkojnë të jetojnë në çadra që do ngrihen në Sharrë dhe shtëpi me qera ose do ngrihen shtëpi prej druri.
Tuesday, 13 August 2013 12:01