Durrës – Një nga barkat e shpëtimit të anijes së mbytur “Reina 1” është parë dje në mesditë nga trageti i linjës Trieste-Durrës, në një distancë prej rreth 60 milje larg portit të Durrësit.
Ndërkaq, anija e specializuar ushtarake turke “Barbaros” vazhdon kërkimet për gjetjen e 8 marinarëve, që rezultojnë të zhdukur që nga nata e së mërkurës, kur anija e tyre u përplas me një traget të linjës Durrës-Bari.
Kapiteni i portit të Durrësit, Hysni Aruçi, tha se lajmi i gjetjes së barkës është bërë i ditur nga kapiteni i tragetit “Filipos”, i cili po lundronte nga Trieste drejt Durrësit.
Sipas këtij njoftimi barka e vogël me emrin “Reina 1” është parë sot në mesditë rreth 60 milje në veri të Durrësit, thuajse përballë brigjeve të portit të Tivarit (Mali i Zi).
“Trageti ka ngadalësuar shpejtësinë me shpresën se përveç barkës, në det mund të shihej edhe diçka tjetër”, tha Aruçi, sipas të cilit deti me drejtim verilindjen e ka çuar shumë larg barkën e shpëtimit të anijes turke.
Ndërkaq, kërkimet e fregatës turke “Barbaros” kanë vazhduar gjatë ditës së sotme në ujëra ndërkombëtare, në një distancë rreth 20 milje larg portit të Durrësit, pikërisht aty ku në orët e para të së enjtes ndodhi përplasja mes tragetit “Ankara” dhe anijes “Reina 1”, prej së cilës mbijetuan dy nga marinarët e anijes, ndërsa 8 të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Tuesday, 25 October 2011 07:32