Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 09:01

Tiranë – Ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, deklaroi të premten, në një intervistë për ATSH-në, se procedura për vlerësimin e fletëve të votimit, që janë hedhur në kutitë e gabuara, është plotësisht e ligjshme, për faktin e thjeshtë se këto fletë votimi duhen vlerësuar dhe se është e kundra ligjshme dhe përbën një precedent të rrezikshëm, lënia e fletëve të votimit pa u numëruar.

I pyetur nga ATSH mbi funksionimin e KQZ-së si KZAZ, Gjata tha se “mbështetja ligjore ndodhet në nenin 122, pika 6 të Kodit Zgjedhor”. “Ne themi se funksionon si KZAZ, sepse Tirana, ndryshe nga bashkitë e mëdha që kanë secila KZAZ-në e vet, nuk ka një të tillë të vetme për të gjithë Tiranën, por KZAZ-të e të 11 minibashkive i dërgojnë tabulatet e tyre, me gjithë bazën materiale dhe kontestimet, për vlerësim në KQZ, e cila komform nenit 123 të Kodit Zgjedhor nxjerr në mënyrë të veçantë rezultatin për Tiranën”, tha Gjata.

Në këtë kuadër, Gjata thekson se mund të jetë një e metë e ligjit që nuk ka parashikuar një të tillë për Tiranën, që kuptohet nuk ngarkon me përgjegjësi KQZ-në, por parlamentin.

Sipas tij, “problemi ka mbetur për diskutim në numërimin e fletëve të votimit të gjetura në kuti tjetër, por në të njëjtën qendër votimi’. “Pra, KQZ ligjërisht në këtë rast vepron si KZAZ, por nuk është kjo e rëndësishme, sepse edhe po të kishte një KZAZ përsëri do të ndodheshim përpara të njëjtit problem. Pra, ja vlen të diskutojmë se si zgjidhet ky problem, madje të diskutojmë a po zgjidhet drejt ky problem nga pikëpamja ligjore, sepse nga pikëpamja institucionale e vlerëson gjykata (Kolegji Zgjedhor)”, tha më tej Gjata.

Ai theksoi se kjo procedurë është plotësisht e ligjshme për faktin e thjeshtë se këto fletë votimi të hedhura në kutinë e gabuar duhen vlerësuar në një farë mënyre.

“Pra s’mund ti lësh kot, janë gjetur aty dhe kaq. Atyre u duhet dhënë një status. Pra duhen vlerësuar medoemos sepse lënia në këtë mënyrë, jo vetëm është e kundërligjshme, por është edhe një precedent i rrezikshëm për të ardhmen, pasi mund të lihen fletë votimi pa numëruar për lloj lloj arsyesh”, tha Gjata.

Në këtë kuadër, Gjata shprehet se nëse këto fletë do të klasifikohen të pavlefshme, kjo duhet të bazohet në dispozitë ligjore. Por sipas, tij në asnjërin prej tetë kritereve ligjore të nenit 117, pika 3 të kodit, nuk parashikohet si pavlefshmeri gjetja e fletes së votimit në kutinë tjetër brenda së njëjtës qendër votimi”.

“Atëherë janë të vlefshme sepse sipas pikës 1 të të njëjtit nen, ligji e ka përcaktuar qartë se fletët e votimit ndahen në vota të vlefshme, ose në vota të pavlefshme. Të tretë nuk ka; ose njëra, ose tjetra. Këtë duhet ta kishin bërë KZAZ-të përkatëse dhe meqenëse nuk e kanë bërë, atëherë KQZ si KZAZ e Tiranës është e detyruar ta kryejë si numërim fillestar, sepse nuk e kanë bërë grupet e numërimit”, tha Gjata.

Në këtë rast, ai argumentoi se KZAZ e Tiranës po plotëson pazellin zgjedhor me fletët e votimit që janë aty, por që nuk kanë status. Gjata theksoi se e gjithë kjo është e detyrueshme në funksion të së drejtës së qytetarit për të votuar dhe kur themi për të votuar edhe për t’ju numëruar dhe vlerësuar vota, se në të kundërt s`ka kuptim, pse po voton.

Ndërkohë i pyetur nëse ka precedentë të mëparshëm për këtë, Gjata sqaron se ka patur abuzime mediatike për këtë. “Në vitin 2007, kur mund të vihej re ky problem nuk ka patur asnjë akt të KQZ-së për t’u konsideruar këto vota, pra të gjetura në kutinë e gabuar, si të pavlefshme. Është kërkuar një procedurë e veçantë për bashkinë e Tiranës që grupet e numërimit gjatë procesit të numërimit të linin kutitë e QV hapur derisa të gjendeshin fletët e hedhura gabim dhe të kombinoheshin, duke u vlerësuar edhe në tabelat përkatëse”, tha Gjata.

Por kjo, sipas tij, do të sillte mbajtjen hapur të kutive edhe pas numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit dhe madje te kater kutive të votimit dhe asaj të materialeve zgjedhore pesë, në të pesë grupet e numërimit brenda çdo KZQV-je(KZAZ sot), pra jo pak, por 25 kutive paralelisht në të 11 njësitë.

“Kjo do të ishte një aventurë, sepse me marrjen vesh të rezultatit mund të lindin probleme deri në shkatërrim të kutive të hapura apo djegie fletësh votimi dhe ta dërgonte procesin në eliminim të plotë. Prandaj, u rrëzua si procedurë, por në asnjë rast nuk u vendos nga KQZ e kohës që këto fletë të quhen të pavlefshme. Për këtë nuk ka asnjë akt të miratuar. Por, iu la në diskrecion administratës zgjedhore poshtë që ta vlerësojë ajo si rast pas rasti”, vijoi Gjata.

Ai theksoi se “nuk mundej KQZ-ja ta udhëzonte KZQV se si teë vepronte për rastin konkret, sepse pala që do ankohej, nuk mund të ankohej në KQZ, sepse kjo e fundit kishte dhënë mendim”.

“Nuk mund të ankohesh në një institucion që e ka dhënë qëndrimin e vetë zyrtar. Dhe e fundit ky problem shqyrtohet pasi ka ndodhur, jo para se të ndodhë, sepse nuk ka kuptim. Në 2007-ën, ky problem nuk u shqyrtua më, sepse nuk pati ankimime edhe për faktin se rezultati e bënte të pakuptimtë. Ndërsa, sot rezultati është shumë i ngushtë”, vijoi Gjata.

Rasti i dytë, sipas tij, “ka të bëjë me një ankimim për zgjedhjet në bashkinë e Durrësit”. “Ky ankimim nuk ka të bëjë me gjetjen e fletëve në kutinë e gabuar, por me kërkesë për rivlersimin e fletëve të votimit të shpallura me vendim si të pavlefshme për faktin se numri i tyre e kalonte diferencën në rezultat midis fituesit dhe humbësit. E thënë më thjeshtë, nëse diferenca ishte 400 vota, numri i votave të pavlefshme ishte 800”, tha Gjata.

Ai rikujtoi se “kjo kërkesë u rrëzua, sepse nuk kishte prova dhe as indicie që ky vlerësim ishte bërë gabim dhe të shkaktonte rivlerësimin e tyre”. “Numëruesit partiakë nuk mund të thonë pasi del rezultati që tani, që humbëm, kemi gabuar. Kjo kërkon prova të forta. Për këtë u rrëzua kërkesa, jo për fletët e gjetura në kutinë e gabuar. Duhet të dini një gjë: fenomeni i fletës së votimit në kutinë e gabuar ndodh vetëm në Tiranë, sepse ka katër kuti votimi, ndërsa në njësitë e tjera ka vetëm dy kuti dhe vetëm dy fletë votimi, ku përmasat dhe ngjyrat janë shumë të ndryshme dhe nuk mund të ngatërrohen. Ndaj, në atë kohë shqyrtimi i pavlefshmërisë u bë për shkaqe tejet të tjera nga ato që po diskutohen sot”, tha në përfundim ish-kreu i KQZ-së.