Gjakovë – Në mbledhjen e mbajtur ditë më parë nga Klubi letrar “Gjon N. Kazazi” në Gjakovë u shpalos programi i tërësishëm, që përmban manifestimi tradicional, Mitingu i Poezisë, që mbahet për të 47 herë në Gjakovë, duke mbledhur krijues nga të gjitha trevat shqiptare dhe me karakter ndërkombëtar.
Sipas një noftimi për media, Klubi letrar njofton se ka filluar java e Mitingut me promovime të veprave, ndërsa me datë 19 maj, është mbajtur një orë letrar në qytetin e Bajram Currit, duke marrë karakter tradicional si manifestim i përbashkët me këtë qytet kufitar. Dhe po ashtu, të premten mbahet takim me shkrimtaren e mirënjohur Brunilda Zllami, në Bibliotekën e Gjakovës me fillim në orën 11-të.
Ndërsa, pika kulminante e Mitingut është ditën e shtune, më 21 maj, ora 10-të, kur edhe mbahet Tribuna letrare me temë “Poetika e Din Mehmetit” ku do të referojnë Dr. Agim Vinca, Dr. Basri Çapriqi, Dr. Sali Bashota, kritiku Ali Jasiqi dhe mr. Besim Muhadri.
Në orën 12-të mbahet ora letrare për fëmijë me karakter konkurues, ndërsa Ora Qëndrore e Mitingut mbahet në orën 19-të, ku do të lexojnë poezi krijues të shumtë të përzgjedhur për ta fituar çmimin e Mitingut.
Madhështore këtë Miting e bën ardha e një numri të madh krijuesish nga Shqipëria, si: Mimoza Ahmei, Arian Leka, Stefan Çapaliku, Ana Kova, Anrila Spahija, nga Maqedonia do të merr pjesë Fatmir Sylejmani e Mustafa Spahiu, si dhe nga Mali i Zi.
Karakterin ndërkombëtar Mitingut ia jep pjesëmarrja e krijuesit të njohur nga Greqia, Kosta Valetas, miku i madh i shqiptarëve dhe Dino Kubatis nga Greqia.
Ky Miting mbahet në mbështetje të Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Gjakovës.
Për të interesuarit, këshilli i Mitingut ka organizuar trasnportin me autobusë nga Prishtina, i cili do të niset në orën 8. 30 nga ish Pallati i Shtypit dhe anasjelltas nga ora 10. 30 nga Gjakova për në Prishtinë.
Friday, 20 May 2011 12:25