Jusuf Gërvalla është cilësuar si figurë unike që me veprimtarinë e tij atdhetare e kulturore ka lënë gjurmë në historinë e vendit. Në Pejë të enjten ka nisur manifestimi treditor “Ditët e Jusuf Gërvallës”.
Me këtë aktivitet shënohet 70-vjetori i lindjes së atdhetarit e kantautorit të shquar.
Homazhet që ka bërë kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, te varri i atdhetarit, në fshatin Dubovik, u kanë paraprirë aktiviteteve të tjera. Në teatrin e qytetit “Istref Begolli” është organizuar akademi përkujtimore, në të cilën morën pjesë familjarë, bashkëpunëtorë e përfaqësues të qeverisë komunale.
Isa Zymberi, bashkëveprimtar i Jusuf Gërvallës, i cili u vra më 17 janar 1982 në Gjermani, ka shpalosur kujtimet e tij nga rrugëtimet e përbashkëta. “Jusufi ishte ndër të rrallët, ngaqë kishte prirje dhe talent për muzikën, artin aplikativ, për shkrimet, por mbi të gjitha ndër me të përkushtuarit ndaj kauzës kombëtare për liri”, ka thënë Zymberi.
Të pranishmëve u është drejtuar edhe vajza e Jusufit, Donika Gërvalla, e cila theksoi se ajo dhe familja e saj u janë mirënjohës organizatorëve që kanë shënuar ditëlindjen e Jusuf Gërvallës.
“Duke qenë djalë i Pejës, Jusufi bëri atë çfarë mundi në shërbim të çështjes kombëtare”, ka thënë Gërvalla. Ka kujtuar se vepra e tij ende gjëllin dhe dëmshmi për këtë ka qenë interpretimi i disa kompozimeve të Gërvallës në programin artistik.
Engelbert Zefaj, drejtor i Departamentit të Kulturës në Komunën e Pejës, ka thënë se ky është një organizim modest mirënjohjeje dhe respekti për punën dhe kontributin e madh që Jusuf Gërvalla ka dhënë në shërbim të kauzës kombëtare. “Nga viti që vjen Komuna e Pejës do të organizojë një festival tradicional ndërkombëtar për kitarë, në të cilin festival një juri ndërkombëtare do të ndajë çmimin e përmotshëm ‘Kitara e Jusufit’, i cili do t’u ndahet artistëve më meritorë”, ka thënë ai.
Shfaqja “Dinjiteti” me tekst të Ruzhdi Pulahës, nën regji të Agim Selimit, ka qenë e fundit në program.
“Ditët e Jusuf Gërvallës” organizohet nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Pejës.
Friday, 02 October 2015 11:22