Tiranë – Në Gjykatën e rrethit Tiranë, përfaqësuesit e prokurorisë vijuan sot me leximin e konkluzioneve hetimore për çështjen “Gërdeci”, që numëron 29 të pandehur, në pjesën më të madhe ish- funksionarë të l
artë të ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë.
Aktualisht, prokurorët e çështjes kanë lexuar një pjesë të këtyre konkluzioneve, të cilat janë përmbledhur në nje dosje voluminoze, me më tepër se 500 faqe. Prokurorët kanë publikuar detaje për çështjen si ato për ngritjen dhe funksionimin e ish- fabrikës së demontimit të municioneve luftarake në Gërdec, municionet e transportuara atje, kushtet e punës në fabrikë, shpërthimin në të etj. Gjithashtu, ata kanë dhënë detaje mbi përgjegjësitë e të pandehurve në këtë çështje.
Faktikisht, kjo është seanca e dytë që prokuroria vijon me shpalljen e konkluzioneve hetimore, ndërsa pritet që të ketë edhe seanca të tjera deri në shpalljen përfundimtare të tyre.
Të pandehurit në këtë proces akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur në 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit në fshatin Gërdec të Tiranës, kur si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm humbën jetën 26 persona, ndërsa u plagosën shumë të tjerë. Shpërthimi shkaktoi edhe shumë dëme materiale.
Procesi për çështjen “Gërdeci”, pas një maratone seancash, tani i është drejtuar fundit.
Pas konkluzioneve të prokurorisë, Gjykata e Tiranës do të shpallë vendimin e saj.
Friday, 21 October 2011 17:15