Lajme Shqip Thursday, 13 October 2011 12:14

Nga Štefan Füle*

Ishte një arritje historike për Shqipërinë, kur shtetasit e saj përfituan nga regjimi pa viza në Zonën e Shengenit në fund të vitit të kaluar. Regjimi pa viza është prova më e mirë që reformat në vend sjellin përfitime të prekshme për qytetarët dhe progres në lidhje me Bashkimin Evropian. Dhe kjo është domethënia dhe logjika e transformimit – shpërblehesh kur punon me përkushtim.

Megjithatë, këtë vit, shansi për progres të mëtejshëm drejt Bashkimit Evropian humbi. Skena politike vendase në Shqipëri është dominuar gjerësisht nga vazhdimi i ngërçit politik dhe zhvillimet e mëtejshme konfliktuale e kanë penguar miratimin e legjislacionit të nevojshëm dhe zbatimin e reformave.

Vjeshtën e kaluar, Bashkimi Evropian përcaktoi dymbëdhjetë prioritete kyçe, të cilat duhet të plotësojë Shqipëria, me qëllim që të arrihet hapja e negociatave për anëtarësim. Këto prioritete kanë të bëjnë, mes të tjerash, me funksionimin e duhur të parlamentit, zhvillimin e mirë të zgjedhjeve, respektimin e shtetit ligjor dhe antidiskriminimin. Progresi në këto fusha, jo vetëm do të avanconte Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së, por mbi të gjitha do të ishte një përfitim për shtetasit Shqiptarë.

Shqipëria ka filluar të punojë për plotësimin e këtyre 12 prioriteteve kyçe. Ka pasur përparim në disa fusha si lufta ndaj krimit të organizuar, përmirësimi i trajtimit të të burgosurve, mbrojtja e të drejtave të fëmijëve. Qeveria gjithashtu ka përgatitur një plan veprimi, i cili përbën një bazë të mirë për punën e mëtejshme, por kjo duhet të jetë një përpjekje gjithëpërfshirëse dhe mbetet për t’u parë në bashkëpunim me të gjitha palët e interesuara.

Gjithashtu, për të pasur progres të mëtejshëm, Shqipëria duhet të adresojë mangësitë e mëdha që u shfaqën gjatë dy zgjedhjeve të fundit dhe të rishikojë kuadrin e saj ligjor. Vendi gjithashtu ka nevojë të bëjë përpjekje të vazhdueshme dhe të arrijë progres të dukshëm në fusha si administrimi publik, gjyqësori, politikat antikorrupsion apo reforma për pronën.

Suksesi i Kroacisë në mbylljen e negociatave të anëtarësimit këtë vit, tregon se ndryshimi është i mundshëm. Është një sinjal i qartë ndaj vendeve të tjera në rajon, përfshirë Shqipërinë, që politika e zgjerimit e BE-së është e besueshme dhe sjell rezultate. Megjithatë, ky është një proces sfidues që kërkon përgatitje të plotë dhe rigoroze, bashkëpunim ndërmjet qeverisë dhe opozitës për të arritur rezultate konkrete. Adresimi i suksesshëm i këtyre sfidave do të ndikojë në afrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian. Unë inkurajoj të gjitha forcat politike në Shqipëri të rivendosin dhe të ruajnë një nivel të dialogut politik, i cili lejon funksionimin e institucioneve demokratike kyçe dhe zbatimin e reformave kryesore.

Ka ardhur koha që Shqipëria të vazhdojë të ndërtojë më tej në arritjet e saj dhe të shpalosë potencialin, i cili deri tani ka mbetur në hije nga retorikat negative dhe konfliktet. Unë kam besim se Shqipëria ka kapacitetet e nevojshme dhe mundësitë për të arritur standarde të larta, të cilat nevojiten për negociatat e anëtarësimit.