Romë – Pak ditë më parë europarlamentari legist lëshoi batuta përçmuese kundër shqiptarëve në emisionin La Zanzara të Radio 24. Ai e quajti Shqipërinë si “Vend të Botës së tretë”. Duke marrë shkas nga diplomimi i Renzo Bossit në Shqipëri, Borghezio nuk humbi rastin për të folur kundër shqiptarëve.
I nxitur nga drejtuesi i emisionit, Giuseppe Cruciani, që e nisi bisedën duke kujtuar ironinë e publikut me batutën e famshme të Legës, të kthyer në “Lega tiene.. Durazzo”, pas diplomës shqiptare të Troftës, Borghezio mban menjëherë qëndrim duke thënë: “Nuk është e vërtetë, lajmi u përgënjeshtrua. Asnjë prej nesh nuk frekuenton Shqipërinë, që po t’i heqësh banorët është një vend i mrekullueshëm”.
“Mbi shqiptarët secili ka mendimin e vet, unë kam një mendim timin. Ato pak herë që kam qenë në Shqipëri sipërmarrësit italianë atje më kanë thënë se ishin shumë të kënaqur nga gratë shqiptare që punojnë shumë, ndërsa burrat nuk bëjnë asgjë, rrinë gjithë ditën në kafene, janë kushërinj të afërt të arabëve”- vijoi ai.
“Mjafton të shkosh në Tiranë dhe e sheh që gratë punojnë fort ndërsa burrat nuk lëvizin as gishtin (“Non fanno un cazzo” thotë legisti në gjuhën e tij)”. Më tej ai shprehet se Shqipëria nuk bën pjesë në komunitetin europian dhe dhe legistët nuk dëshirojnë që ajo të pranohet. “Fatmirësisht shqiptarët nuk vijnë më në Itali, kanë kuptuar që janë më mirë atje ku janë, se te ne me qeverinë Monti.”- përfundoi eurodeputeti.
Shqiptarët e Italisë synojnë të mbledhin firmat e nevojshme për ti paraqitur qeverisë shqiptare dhe asaj italiane një dokument proteste kundër deklaratave të eurodeputetit Borghezio. “Këto deklarata janë shumë serioze pasi vijnë nga një deputet i Parlamentit Europian”- shprehen organizatorët. (B.W)
Wednesday, 16 May 2012 15:40