Tiranë – Katër të dënuar, tre prej tyre me burgim të përjetshëm, kanë tentuar të arratisen nga burgu ditën e sotme.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bënë të ditur sot se ngjarja ka ndodhur në burgun e Fushë Krujës, kur forcat e sigurisë të institucionit kanë konstatuar 4 të dënuar në përpjekje për t’u larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit.
Të dënuarit Altin Kodra, Gëzim Guri, Fran Marashi dhe Prel Vucaj, pasi kanë dëmtuar murin e brendshëm të dhomës ku ata qëndronin, kanë prerë 3 hekura të dritares dhe kanë dalë nga dhoma, poshtë dritares së tyre, kur janë vënë re nga polici i shërbimit, i cili ka njoftuar menjëherë forcat e tjera të policisë së burgjeve.
Bëhet e ditur gjithashtu se të dënuarit janë neutralizuar menjëherë, pa arritur të përmbushnin qëllimin e tyre. Menjëherë janë marrë të gjitha masat dhe këta të dënuar janë izoluar dhe veçuar në dhoma të veçanta.
Shtetasi Altin Kodra është i dënuar me 22 vjet heqje lirie, ndersa Gëzim Guri, Fran Marashi dhe Prel Vucaj janë dënuar me burgim të përjetshëm.
Tuesday, 20 September 2011 11:20