E mbijetuara e aksidentit të rëndë në Kukës, Hyrije Kovaçi, rrëfen për “A1 Report” momentet tragjike të ngjarjes, kur furgoni me pasagjerë ra në humnerë, duke shkaktuar 6 viktima.
67-vjeçarja Kovaçi, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Traumës në kryeqytet, tregon se gjithçka ndodhi vetëm 10 minuta nga nisja e furgonit nga Shishtaveci në drejtim të Kukësit.
“Shoferi nuk ecte me shpejtësi. Ne sa ishim nisur nga fshati, vetëm kur kemi parë që u rrëzuam. Pasagjerët bërtisnin duke thënë ‘na mbyte’, vetëm kur kemi parë njerëzit në tokë, disa të vdekur dhe nuk mbaj mend më shumë”, ka treguar Kovaçi.
Ndërsa mjeku, Artan Distafa, tregon se, gjendja e të aksidentuarve është e rëndë veç 67-vjeçares, Kovaçi. Sipas Distafës, Petrit Mustafa dhe Rustem Bina, janë në gjendje të rëndë dhe kanë mbetur të paralizuar.
Të aksidentuarit Petrit Mustafa dhe Xhezair Çuni, të dy iu nënshtruan një operacioni shtatë orësh pas mbërritjes në gjendje tepër të rëndë në Spitalin Kombëtar të Traumës me helikopter dhe për momentin të dy ndodhen në gjendje kome.
Gjatë natës u përmirësua gjendja e 67-vjeçares Hyrije Kovaçi, e cila tashmë konsiderohet jashtë rrezikut.
Në aksidentin e ndodhur të shtunën në Kukës, kur një furgon doli nga rruga duke rënë në një humnerë, gjashtë persona humbën jetën, ndërsa shtatë të tjerë u plagosën, nga të cilët katër u transportuan me urgjencë në Tiranë.
Megjithatë, në gjendje kritike tashmë mbeten vetëm të aksidentuarit Mustafa dhe Çuni.
Ndërsa, nëndrejtori i spitalit foli edhe për gjendjen e tre fëmijëve të plagosur nga shpërthimi i një granate. Ai tha se të tre të miturit e aksidentuar në Fushë-Krujë kanë marrë trajtimin e përshtatshëm dhe janë jashtë rrezikut.
Në këtë aksident, humbi jetën një 6-vjeçar, fëmija i katërt pranë të cilit shpërtheu granata.
Dita e shtunë ishte një prej ditëve më të zeza në historinë e vendit, pasi në një aksident tjetër në Sarandë humbën jetën pesë persona, duke e çuar në 12 numrin e shtetasve që mbetën të vrarë gjatë 24 orëve të fundit./shekulli/
Sunday, 09 February 2014 14:49