Lajme Shqip Thursday, 22 December 2011 18:49

Tiranë-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, paralajmëroi se mjedisi ekonomik edhe gjatë vitit të ardhshëm do të jetë sfidues, ndaj bankat duhet të përsosin aftësitë e tyre për të testuar qëndrueshmërinë ndaj skenarëve të rrezikut.

Gjatë takimit të fundvitit të organizuar nga Shoqata e Bankave, Fullani u shpreh se  veprimet që do të ndërmerren duhet të orientohen prej konceptit të kujdesit.

“Dëshiroj të theksoj që tiparet e një drejtimi të përgjegjshëm bankar në këtë periudhë do të dallohen prej aftësisë që do të tregoni për të kontrolluar dhe administruar rreziqet e veprimtarisë në përgjithësi, dhe veçanërisht prej shpejtësisë me të cilën do te zhvilloni kapacitetet e institucionit për të testuar qëndrueshmërinë dhe performancën ndaj skenarëve të ndryshëm të zhvillimeve të ardhshme”-tha Fullani.

Sipas tij standardet ndërkombëtare kërkojnë që fokusi të vendoset jo në planifikimin e ngjarjeve të pritshme me një probabilitet të lartë, por në vlerësimin e qëndrueshmërisë së institucionit ndaj zhvillimeve relativisht ekstreme dhe të pafavorshme.

Fullani shtoi se vitin e ardhshëm Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të përmirësojë kuadrin rregullator dhe praktikat mbikëqyrëse, me objektiv respektimin rigoroz nga bankat të kërkesave për kapitalizim dhe likuiditet. (LajmeShqip.com)