E vetmja mënyrë për të rigjallëruar ekonominë shqiptare është që individët dhe bizneset të mposhtin frikën për të shpenzuar. Në daljen e fundit para mediave për vitin 2011, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha se ecuria e ekonomisë vitin e ardhshëm do të varet nga kërkesa e sektorit privat, që vazhdon të shfaqë prirje drejt kursimit dhe ngurrim për të shpenzuar.
“Konsumi dhe investimet private kanë patur një ecuri të ngadaltë. Në përputhje me ecurinë e ekonomisë, të ardhurat e disponueshme të familjeve shqiptare vlerësohen të jenë rritur me ritme të reduktuara gjatë kësaj periudhe. Pavarësisht kësaj, ecuria e ngadaltë e konsumit shqiptar ka reflektuar më së shumti orientimin e rritur të familjeve drejt kursimit. Konsumi privat ka gjetur një mbështetje më të lartë nga kredia konsumatore gjatë vitit 2011. Megjithatë, bankat raportojnë një kërkesë të zbehtë për kredi konsumatore ndërkohë që konsumatorët kanë vijuar të hezitojnë në kryerjen e blerjeve të mëdha gjatë vitit 2011,” tha Fullani.
Guvernatori përsëriti edhe njëherë se sektori bankar është plotësisht në gjendje për të mbështetur një kërkesë më të lartë për financim. Zoti Fullani parashikoi kushte më të mira kreditimi nga bankat gjatë vitit të ardhshëm, edhe si reflektim i uljes së normës bazë të interesit. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 4.75%. Banka e Shqipërisë parashikon që për periudhën afatshkurtër dhe afatmesme presioni inflacionit në ekonominë shqiptare do të ngelet i dobët, veçanërisht në krahun e kërkesës, si rrjedhojë e ecurisë së ngadaltë të konsumit dhe investimeve.
Wednesday, 28 December 2011 16:45