Bruksel- Petar Stano, zëdhënës i eurokomisionerit për zgjerim Shtefan Fyle, deklaroi sot se referendumi i ardhshëm në veri të Kosovës nuk është rrugë për zgjidhjen e problemeve.
“Dhuna, barrikadat dhe referendumi nuk janë zgjidhje”, deklaroi Stano.
Zëdhënësi shtoi se sipas KE-së, “deri në zgjidhje mund të arrihet verëm përmes paqes, konsultimeve dhe dialogut”.
KE-ja është e njohur me pozicionin e Beogradit, se referendumi për mospranimin e institucioneve të Prishtinës është i panevojshëm dhe kundërproduktiv, theksoi ai.
Përfaqësuesit politikë të serbëve të komunave veriore të Kosovës tashmë po bëjnë përgatitjet e fundit për organizimin e referendumit më 14 dhe 15 shkurt për të vendosur nëse pranojnë ose jo institucionet e Kosovës.
Qeveria e Kosovës dhe mekanizmat e pranishëm ndërkombëtarë thonë se rezultati i këtij referendumi nuk do të ketë asnjë efekt.
Por, serbët e veriut nuk janë tërhequr nga organizimi i tij, madje edhe pas vërejtjeve të Beogradit zyrtar, i cili ka drojën se një referendum i tillë mund t’i kushtojë Serbisë me humbjen e statusit të kandidatit për integrim në BE. (LajmeShqip.com)
Monday, 13 February 2012 21:00