Tiranë – Bashkia e Tiranës nderoi sot me titullin “Qytetar Nderi” ish ministrin e Jashtëm të Italisë, Franco Frattini, për kontributin e tij të çmuar për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen dhe integrimin euroatlantik të Shqipërisë.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në ambientet e Pallatit të Brigadave, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha vlerësoi figurën e zotit Frattini dhe kontributin e tij për proceset integruese të vendit. “Sot është një ditë shumë e veçantë për qytetin tonë. Për dekada me radhë qyteti ka vendosur të nderoj njerëz të veçantë dhe të shquar për kontributet e tyre për këtë qytet dhe vendin tonë. Por mund të themi se dita e sotme është nga më të veçantat, sepse personaliteti që nderohet sot me titullin më të lartë që qyteti mund të japë i ka pasur prej kohësh çelësat e zemrave të shqiptarëve. Zemrat e shqiptarëve nuk kanë pasur derë për të”, tha Basha gjatë kësaj ceremonie.
Ai vlerësoi kontributin e z. Franco Frattini, pasionin e këtij italiani dhe europiani të madh dhe lidershipit të tij në raport me proceset europiane dhe vendet europiane akoma jashtë Unionit. “Vendosmëria e lidershipit dhe pasioni i Franco Frattinit rrjedh natyrshëm në gjurmët e etërve të Bashkimit Evropian, por për qytetarët shqiptar domethënia e këtij pasioni ka qenë i prekshëm si impakt. Për këtë arsye qyteti i Tiranës, Këshilli Bashkiak dhe unë si Kryetar i Bashkisë kemi nderin e veçantë të paraqesim në këtë ceremoni solemne titullin e lartë të “Qytetarit të nderit” për zotin Franco Frattini”, tha Basha, ndërsa ftoi Kryeministrin Sali Berisha që ti dorëzojë z. Frattini Çelësin e Tiranës.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, personalitete të jetës politike etj. Franco Frattini ka mbajtur postin e ministrit të Jashtëm të Italisë gjatë viteve 2002-2004 dhe 2008-2011, si dhe atë të Komisionerit Europian për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë (2004-2008).
Ai ka vizituar disa herë vendin tonë dhe është shprehur qartë për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë, si dhe është ndër mbështetësit kryesorë të procesit të integrimit europian të Shqipërisë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 10 July 2012 20:15