Tiranë-Askush nuk mund të ndajë rrugën europiane të Serbisë nga zgjidhja drejt arritjes së një marrëdhënie të qëndrueshme mes Kosovës e Serbisë.
Ka qënë kjo deklarata e ambasadores së Francës në Shqipëri, Kristine Moro gjatë një interviste dhënë për emisionin Diplomatikus të gazetares Erjona Rusi në News 24.
Moro u shpreh qartë se Parisi do të përpiqet të bindë Beogradin që në një të ardhme të pranojë pavarësinë e Kosovës.
E pyetur se çfarë mund të bëjë me shumë Franca, si një nga dy fuqitë më të mëdha të Europës në përmirësimin e raporteve mes Kosovës e Serbise duke ushtruar më shumë ndikim tek Beogradi, ashtu siç ka bërë Gjermania, ambasadorja Moro u përgjigj qartë:
“Unë mendoj se kemi qënë gjithnjë mëse të qartë dhë të saktë. Ne mbështesim ekzistencën dhe pavarësinë e Kosovës, ne mbështesim integritetin e saj territorial dhe ne jemi të vendosur që të bindim edhe Serbinë të bëjë të njëjtën gjë. E di që problemet janë delikate dhe mbase do të duhet kohë por askush nuk mund të ndajë rrugën europiane të Serbise nga zgjidhja për të arritur një marrëdhënie të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 10 May 2012 19:32