Lajme Shqip Tuesday, 03 July 2012 22:00

Tiranë -Partia Fryma e Re Demokratike përshëndeti sot popullin e Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës me rastin e përfundimit të pavarësisë  së mbikqyrur.

“Në këtë moment të rëndësishëm dhe optimist për Republikën e Kosovës, Fryma e Re Demokratike gjendet në krah të popullit dhe institucioneve të Kosovës dhe vlerëson se përfundimi i pavarësisë së mbikqyrur është arritje e merituar për punën dhe sakrificat e Kosovës në rrugën e saj të vështirë drejt pavarësisë dhe demokracisë”, thuhet në deklaratën për shtyp të FRD-së. Sipas FRD, vendimi është njëherësh shprehje e besimit ndërkombëtar ndaj veprimtarisë së deritanishme të shtetit të Kosovës si dhe inkurajim për sfidat e reja që e presin atë në rrugën e antarësimit në NATO dhe në Bashkimin Europian.

“Fryma e Re Demokratike shpreh besimin se klasa politike e Kosovës do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim rrugën e reformave për konsolidimin e demokracise dhe shtetit ligjor, në bashkëpunim me partnerët strategjik, SHBA dhe BE, si një faktor i rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon”, përfundon deklarata e FRD-së.

Gjithashtu edhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përshëndeti, nëpërmjet një deklarate, vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për dhënien fund të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Sipas PDIU, “ky është një hap i nevojshëm për krijimin e një shteti mirëfunksionues dhe demokratik. Për kombin tonë, fundi i pavarësisë së mbikëqyrur do të thotë pavarësi dhe sovranitet i plotë në vendimmarrje dhe shtetformim për shtetin e dytë të kombit shqiptar në Ballkan”. PDIU shpreson dhe u bën thirrje faktorëve politikë në Kosovë dhe në Shqipëri, “që tani e tutje, politikat shtetërore të të dyja palëve të jenë në funksion të integrimit të dy shteteve me njëra-tjetrën, si parakusht i integrimit evropian”.

Lëvizja Nano për Fitoren e Socialisteve shprehu sot përshëndetjet, përgëzimet dhe mbështetjen më të fortë e solidare për shtetin e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës për arritjen e rëndësishme dhe historike të përfundimit të mbikëqyrjes së Pavarësisë.

Sipas kësaj lëvizjeje, “ky është zhvillim tejet i rëndësishëm dhe shumë i gëzueshëm jo vetëm per shtetin e ri dhe të pavarur të Kosovës, për Institucionet e Kosoves, per partitë politike në Kosovë, per te gjithe aktoret e faktoret civile dhe per te gjithe qytetaret e Kosoves, por edhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë”. “Mirënjohja dhe vleresimi shkon edhe për partneret euroatlantikë, të cilët kanë qënë dhe janë mbështetesit dhe inkurajuesit kryesore për lirinë e Kosovës, ngritjen e shtetit te Kosoves, Pavaresine e Kosoves”, thuhet në njoftimin për shtyp të kësaj lëvizjeje. 

Ndërkohë, vijon njoftimi “Lëvizja Nano, si një levizje e progresisteve dhe reformatorëve europianiste në Shqiperi inkurajon partitë politike në Shqipëri që të tejkalojnë pozicionet e ngurta te llogoreve te interesave partiake dhe vetjake qe mbjellin veç mosbesim, kriza e ngerçe, që “të gjejnë mëndjehaptesinë dhe urtësinë për të vendosur interesat kombetare si parësore për plotësimin e 12 kritereve te vendosura nga BE, per realizimin e reformave parlamentare dhe zgjedhore, heqjen e imuniteteve, duke merituar kështu marrjen e statusit kandidat ne BE në vjeshten e ketij viti”(LajmeShqip.com)