Kaçanik -Zyrtarë dhe simpatizantë të lëvizjes Vetëvendosje kanë tentuar të heqin flamurin e Kosovës nga sheshet në Kaçanik, por policia ka ndërhyrë duke i arrestuar disa prej tyre.
Në prag të Ditës së Çlirimit të Kaçanikut që shënohet më 11 qershor, Komuna e Kaçanikut e ka dekoruar qytetin me flamuj kombëtarë shqiptarë dhe me flamujt shtetërorë të Kosovës. Aktivistët e Vetëvendosjes në aksionin e tyre kanë tentuar heqjen e flamujve të Kosovës, duke i lënë vetëm famujt kuqezinj.
Vetëvendosje, përmes një komunikate, shprehet se ndërhyrja e policisë ka qenë e dhunshme. “Gjatë këtij aksioni ka ndërhyrë ashpër policia, e cila ka mbrojtur flamujt e Thaçit”, thuhet në komunikatën e VV-së. VV njofton se janë arrestuar: Basri Kodra, kryetari i Qendrës së VV-së në Kaçanik dhe aktivistët Kenan Trupi, Ardian Dema, Kenan Berisha, Gëzim Mezini, Zgjim Hyseni, Frashër Krasniqi dhe Gëzon Kastrati.
Sipas Vetëvendosjes, ta vendosësh flamurin e Ahtisaarit në prag të datave të shënuara historike është fyerje e dinjitetit të qytetarëve te Kaçanikut. (Lajmeshqip.com)

Friday, 08 June 2012 21:08