Lajme Shqip Friday, 18 January 2013 20:37

Gjilan –  Për shkak të shtyrjes së Akademisë së Flakës, ekspozita e arteve pamore “Peneli i Flakës” të enjten mbrëma zyrtarisht ka shënuar fillimin  e manifestimit tradicional kulturor, “Flaka e Janarit 2013”,  duke i hapur rrugë të gjitha aktiviteteve të këtij manifestimi mbarëkombëtar, i cili për më shumë se njëzet vite mbahet në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të historisë sonë kombëtare.

Avni Behluli nga Shoqata e Arteve Pamore, tha se ekspozita e arteve pamore, e njohur si “Peneli i Flakës”, si shtylla e parë e “Flakës së Janarit”, e cila po hap këtë manifestim, prej vitesh kanë promovuar vlera të mirëfillta dhe artistë të shumë, duke krijuar një fond të mirë të Galerisë së Arteve të Gjilanit.

Ai tha se me konkurrues nga Kosova dhe Shqipëria edhe këtë radhë ekspozita e arteve pamore ka pas prurje të reja dhe të shumta sasiore e cilësore në pikturë, skulpturë, grafikë, instilacion, fotografi artistike dhe se nga mbi 50 punime konkurruese, në këtë ekspozitë janë prezantuar 43 autorë.

Behluli, duke bërë publike çmimet e “Penelit të Flakës”, tha se juria në përbërje: Muhamed Aliu, Arbenita Kërqeli dhe Arta Llapashtica i ka ndarë çmimin blerës të Galerisë pikturës së Ahmet Ibrahimi, kurse tri çmimet të tjera të barabarta për pikturë – Buron Kacelit, për skulpturë: Agim Islamajt, dhe për grafikë – Bislim Elshanit.

 

Duke e shpallur të hapur manifestimin, kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, tha se sot është dashur të hapet “Flaka e Janarit 2013”, me Akademinë e Flakës, por për shkak të pamundësisë që të jetë këtu kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nën patronatin e të cilit këtë vit po mbahet ky manifestim mbarëkombëtar, po e nisim Flakën… me ekspozitën e arteve pamore.

Kryetari Mustafa tha se ky manifestim në vazhdimësi është avancuar dhe formësuar duke arritur një standard në të gjitha shtyllat e tij për të ofruar vlera të mirëfillta. Ai falënderoi Këshillin e Flakës për punën e madhe që ka bërë e po bën dhe drejtorinë e Drejtorisë së Kulturës të udhëhequr nga Veton Nevzati. Kryetari Mustafa, tha se beson që gjithçka do të shkojë mirë në rrjedhën e këtij manifestimi mbarëkombëtar, i cili për herë të parë, po mbahet nën përkujdesje të kryeministrit Thaçi me iniciativë të tij, prandaj si komunë shpresojmë që në vitet në vijim ky manifestim të jetë në agjendën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, që ka qenë synim i komunës, pasi ky manifestim mbahet në nderim të atyre që kontribuuan dhe ranë për lirinë e këtij vendi.

Kryetari Mustafa tha se po bëjmë shumë në të gjitha sferat, veçmas në arsim duke theksuar se Komuna e Gjilan bashkë me Ministrinë e Arsimit janë në koordinim që ta nisim shkollën e arteve në Gjilan për çka është shpallur edhe konkursi për projektim dhe së shpejti pritet të kemi një projekt të mirë për të filluar pastaj me një investim kapital rreth dy milion euro për të ndërtuar shkollën e artave, ku do të punojnë bashkërisht artet pamore dhe muzikore dhe e cila do të jetë në shërbim të gjithë rajonit.

Ai ka uruar fituesit e “Penelit të Flakës” dhe gjithë pjesëmarrësit, duke theksuar se dëshiron që artistët të jetojnë me dinjitet nga puna e tyre, pas siç tha ai “tash për tash arti pak blihet”. Në këtë ekspozitë pos krijuesve e artdashësve ishin të pranishëm edhe Hydajet Hyseni, Zenun Pajaziti e Fazli Veliu (nga Maqedonia) dhe mysafirë të shumtë. (LajmeShqip.com)