Lajme Shqip Sunday, 25 March 2012 18:33

Prishtinë – Njësia Ndërlidhëse për Reagim në Kriza e FSK-së, u nis sot nga Prishtina për një ushtrim fushor në Danimarkë.

Ceremonia përcjellëse e 40 oficerëve dhe nënoficerëve të Njësisë u organizua në kazermën “Adem Jashari” të Komandës së Forcave Tokësore, ku ishte edhe komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati.

“Pas arritjes të kapaciteteve të plota operacionale FSK-ja po tregon dita-ditës që është forcë profesionale, jo vetëm për të mirën e Kosovës, por edhe për të kontribuar në operacione të ndryshme nëpër botë. Ne po tregojmë, me performancën tonë që FSK-ja po ecën drejt rrugës së integrimeve në NATO”, theksoi gjeneral Kastrati. 

Trajnimi i Njësisë Ndërlidhëse për Reagim në Kriza të FSK-së në Danimarkë është mundësuar falë punës dhe bashkëpunimit të gjithanshëm me ushtarakët mentorues danezë, të cilët në mandatin e tyre angazhohen në ngritjen profesionale.

Komandanti i Njësisë, nënkolonel Shemsi Syla tha se ushtrimi do të mbështet nga Forcat e Ushtrisë Daneze me personel dhe me logjistikë.

Tre ditë më parë u dërgua një tjetër togë e FSK-së në Republikën e Turqisë në trajnime për operacione mbështetëse të paqes, dhe se sot është hera e dytë që niset një njësi e plotë jashtë vendit për trajnime për të dhënë kontributin në operacione paqeruajtëse nëpër botë.