Lajme Shqip Tuesday, 07 May 2013 13:11

Prishtinë – Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, priti nënsekretaren për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës, Anne SIPILÄINEN, e cila ishte e shoqëruar nga dy këshilltarët e saj dhe me diplomaten e Finlandës për Kosovë, AnneMeskanen, me të cilët diskutoi për reformat e të bërit biznes, marrëdhëniet tregtare dhe iniciativat që MTI po merr për ndërmarrësinë.

Ministrja Kusari – Lila duke e falënderuar delegacionin për ndihmën që Finlanda po i jep MTI-së në politikat e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe në departamentin e industrisë tha se fokusi i ministrisë që ajo drejton mbetet fuqizimi i sektorit privat .
“Jemi duke punuar për të zhvilluar më tepër sektorin e prodhimit, posaçërisht zëvendësimin e produkteve të importuar me ato të prodhuara në Kosovë. Kohë më parë kaluam Ligjin për Zonat e Lira Ekonomike, në të cilën jemi duke punuar në hapat e mëtejmë që sa më shpejt t’u mundësojmë bizneseve lehtësira për të prodhuar në Kosovë, qofshin ato biznese vendore apo të huaja”, theksoi ajo.

SIPILÄINEN, tha se Finlanda do të vazhdojë asistencën për Kosovë në gjenerimin e punësimit, përkrahjen e grave dhe të rinjve në gjetjen e vendeve te reja të punës.  SIPILÄINEN shprehu interesim të posaçëm në sektorin e agrikulturës dhe të minierave.