Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 20:33

Tiranë – Regjisori i njohur shqiptar, Pluton Vasi, autori i një seri filmash dokumentarë, merr pjesë sërish në Festivalin e Filmit Swansea Bay, një ndër festivalet më të njohur të kinematografisë botërore, por këtë herë me një film artistik.

“Maya”, filmi i parë artistik me metrazh të gjatë i regjisorit Pluton Vasi, është nominuar ndër pesë filmat më të mirë në edicionin e VI- të Festivali të Filmit ‘Sëansea Bay’ që do të zhvillohet nga datat 5-15 maj në Uells në Britaninë e Madhe, një festival që organizohet me mbështetjen e aktores hollivudiane Catherine Zeta Jones dhe Michael Sheen OBE.

Filmi i regjisorit Pluton Vasi është nominuar si më i miri për kategorinë e filmave ndërkombëtar me metrazh të gjatë.

Në faqen zyrtare të këtij festivali, i pari në këtë kategori renditet filmi “The Place Ëhere The Last Man Died” i regjisorit kroat Ivan Peric, “The Krolevsky case” i regjisorëve italian Alessio Gambaro e Christian Zecca, “MAYA” filmi shqiptar i Pluton Vasit, “The Death i Dreamed Of” i regjisorit grek Panagiotis Kravvas dhe “Consciousness” i regjisorit japonez Masaya Uenoyama.

“Maya”, me skenar të Luljeta Lleshanakut dhe produksion të Vjollca Dedeit, trajton realitetin e jetës së njerëzve në thjeshtësinë e tyre, një realitet që mund të gjendet kudo në vëndet më me traditë të Shqipërisë.

Në filmin e tij të parë artistik me metrazh të gjatë, regjisori Vasi ka zgjedhur aktorët Genti Kame, Rovena Lule, Alert Çeloaliaj, Myzafer Ziflaj, Xhevahir Zeneli, Mariana Kondi, Arben Derhemi, Zyliha Miloti.

Maya, personazhi kryesor i filmit, është një grua e re, nënë e dy vajzave që bën një jetë rutinë në qytezën Gromas. Jeta e saj ndryshon rrjedhë kur në qytezë shkel Samiu, një djalë i ri i ardhur nga jashtë vendit për një amanet të të atit: ta varrosë në vendlindje. Samiut i pëlqen Gromasi dhe vendos të rrijë një kohë të gjatë aty, por kjo nuk është e lehtë për të.

Filmi rrëfehet nëpërmjet zërit të narratorit dhe flashback-ut, ose thënë ndryshe, kthimit të copëzave të ngjarjes në memorien e njërit prej personazheve. Filmi “Maya”, realizimi më i fundit i Pluton Vasit, është një prodhim shqiptar me buxhet të vogël i “Art Film P&D”.