Një audiencë e ngushtë e Tiranës nesër do të shoh premierën e filmit “Krom”, me regji të Bujar Alimanit, e më pas nga 12 nëntori do të shfaqet edhe për audiencën e gjerë. Mirëpo, ky film edhe pse është mbështetur edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës, nuk do të shfaqet për audiencën kosovare. Se nuk do të prezantohet në Kinemanë “ABC”, për KultPlus e ka konfirmuar drejtoresha e këtij institucioni, Miradije Vllahiu
Filmi i metrazhit të gjatë “Krom”, me regji të Bujar Alimanit do të ketë premierën më 16 tetor, për një audiencë të ngushtë, ndërkaq prezantimi për publikun e gjerë do të jetë nga data 12 nëntor, në rrjetin e Kinemave Imperial, Tiranë.
Mirëpo, edhe pse ky film është mbështetë edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës, nuk është konfirmuar se ky film do të prezantohet edhe para audiencës kosovare. Se nuk do të shfaqet ky film në kinemanë “ABC”, ka treguar drejtoresha e këtij institucioni, Miradije Vllahiu, e cila ka shpjeguar se ky film nuk do të shfaqet në Kosovë.
Një dramë njerëzore me një mesazh të qartë për shoqërinë shqiptare vjen përmes filmit te Bujar Alimanit. Filmi “Krom” ngjarjet i zhvillon në Bulqize. Bulqiza një vend i njohur për minierat e kromit ndaj dhe regjisori ka zgjedhur ta quaj filmin Krom. Filmi i cili trajton një dramë familjare në një nga zonat e varfëra edhe pse me pasuri të çmuara nëntokësore vjen i trajtuar me shumë delikatesë.
Filmi “Krom” ka të angazhuar mbi 50 personazhe dhe para se të prezantohet në Tiranë, ky film tashmë ka filluar rrugëtimin në festivale ndërkombëtare.
Ndërkohë, në kinemanë ABC, filmi i fundit shqiptar që është shfaqur në Kosovë, është filmi “Babai”, nga Visar Morina. Ndërsa në një prononcim të më hershëm Miradije Vllahiu, për KultPlus pati treguar që mesi i tetorit në Kino ABC do ta sjell edhe filmin “Bota” të Iris Elezit, film ky i cili është nominuar nga Shqipëria për çmimin Oscar./KultPlus.com
Thursday, 15 October 2015 14:55