Lajme Shqip Wednesday, 12 October 2011 13:23

Patra- Filmi “Liria e madhe” e Artan Makut është vlerësuar me çmimin e animacionit më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit dhe Kulturës në Patra të Greqisë.

“13 Panorama International” që prej 1 tetorit e deri në datën 8-të shfaqi 161 filma nga 36 vende dhe në sajë të këtij festivali, spektatori mundi  të ndjekë shqetësimet estetike të artistëve nga vende të ndryshme të botës.

Çmimi për filmin më të mirë të shkurtër shkoi për “Kërcim në kohë”, një film austriak i vitit 2009, nga Andreas Reisenbauer. Dokumentari më i mirë u zgjodh filmi spanjoll “Shakaja  në Infinit” nga David Munoz, ndërsa çmimi për dance videon më të mirë shkoi për “Dream on me” nga John Bush.

“Liria e madhe” është një prodhim i vitit 2010, premiera e të cilit është shfaqur në Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit në prill të këtij viti, në kuadër të “Muajit të Animacionit”. Artan Maku është regjisor edhe i filmave të tjerë të animuar si “Dhelpra dhe iriqi” 1981, “Portreti” 1985, “Kënga e fundit” 1990, etj.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit dhe Kulturës në Patra zhvillohet prej 13 vitesh me qëllim bashkëpunimin mes krijuesve të ndryshëm, ndërkohë që me kalimin e kohës, krahas filmit, i janë shtuar edhe aktivitete të tjera si shfaqje teatri, ekspozita fotografike, poezi, etj.