Lajme Shqip Tuesday, 17 January 2012 17:32

Prishtinë, – Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Qendrore dhe Jugore, Filip Riker, në një intervistë të shkurtër për RTK-në, ka komentuar edhe zhvillimet e fundit në Kosovë, përfshi edhe protestën e së shtunës të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Asnjë parti politike nuk ka të drejtë të marrë ligjin në duart e veta. Ishte mënyrë e pajustifikuar për të shprehur mendimin, për të penguar lirinë e lëvizjes dhe tregtinë e lirë. Protesta e të shtunës ishte e papranueshme, andaj dua të theksoj se policia e Kosovës, sipas raporteve që kam marrë ndga vendorët e ndërkombëtarët, është sjellë në mënyrë profesionale. Ka pasur raporte se ka pasur edhe sjellje të pahijshëm, por qeveria ka thënë se do të ketë hetime për këtë, dhe kjo është ajo që kërkohet sipas standardeve ndërkombëtare”, tha Riker.

I pyetur të komentojë papralajmrimin e Vetëvendosjes për protesta më 22 janar, ai theksoi se pret nga udhëheqësit politikë të përgjegjshëm të ndjekin rrugë të përgjegjshme.

“Vetëvendosje është kundër negociatave ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por nuk e di ku t’i dërgojë këto. Të gjithë kanë të drejtë të shprehin mendimet e tyre, të jenë kritikë, por ne jetojmë në shekullin e 21 dhe negociatat janë të rëndësishme dhe Shtetet e Bashkuara e mbështesin këtë proces”, tha potencoi Riker.

Ndërsa i pyetur për zhvillimet në veri të Kosovës, zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Qendrore dhe Jugore ka thënë se serbët atje bëjnë përpjekje të kota për shkëputje.

“Nuk mund të ketë ndryshim kufijsh, as ndarjesh as shkëmbim territoresh në këtë rajon. Serbët në jug të Kosovës janë integruar dhe janë qytetarë të një Kosove të lirë dhe demokratike. Edhe serbët e veriut do të integrohen në institucionet e Kosovës”, tha Riker duke shtuar se në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka një porosi për të gjithë qytetarët e Kosovës – të punojnë për ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe integrimin e saj në strukturat euroatlantike.