Fier – Qeveria shqiptare ka rritur me 15% fondet në funksion të zhvillimit të sektorit bujqësor e blegtoral, në qarkun e Fierit. Fondet e qeverisë për subvencionimin e fermerëve në 3-4 vitet e fundit kanë ardhur në rritje, fakt që reflektohet te shtimi i sipërfaqeve të kultivuara nga fermerët.
“Mbështetja financiare që po i bën qeveria fermerit është shoqëruar me rritjen e sipërfaqeve të mbjella me drufrutorë, vreshta, ullinj, perime etj”, tha përgjegjësi i zyrës këshillimore pranë DRBUMK Fier, Et’hem Bitaj. Sipas tij, për vitin 2010 u mbollën gjithsej rreth 672 ha me drufrutorë, nga të cilët vendin kryesor e zë kultura e ullirit me 592 ha, ndërkohë që me pemë të tjera frutore u mbollën 42 ha, me vreshta 16,5 ha dhe me agrume rreth 21, 5 ha.
Bitaj tha se qarku i Fierit renditet i pari në shkallë vendi përsa i përket prodhimeve bujqësore.
“Qarku ynë është jo vetëm furnizuesi kryesor i tregut vendas me perime, por edhe eksportuesi më i fuqishëm i perimeve tona në tregjet ndërkombëtare”, tha Bitaj.
Sipas tij, sipërfaqja e kultivuar me perime shkon në rreth 10 mijë hektarë, ndërkohë që sipërfaqja e serave për kultivimin e perimeve shkon në rreth 400 ha. Qeveria, tha Bitaj, ka shtuar jo vetëm fondet për nxitjen e prodhimeve bujqësore, por edhe numrin e skemave përfituese. Kjo, sipas tij, ka shtuar numrin e fermerëve aplikues. “Nga 1050 aplikues vitin e kaluar, këtë vit numri i tyre arriti në 1200, ndërsa mbështetja financiare u rrit me 15 % më shumë, duke arritur në 155 milionë lekë”, tha Bitaj.
Tuesday, 24 May 2011 21:03