Fier – Pjesëmarrës në panairin e agrobiznesit, që u çel të shtunën në qendrën e qytetit të Fierit, kanë shprehur kënaqësinë e organizimit të këtij evenimenti bujqësor, pasi panairi u sjell njohje me firmat e tjera, zhvillime pozitive në veprimtarinë e tyre dhe mbi të gjitha marrëdhënie kontraktuale me të tjera firma prodhuese. Ata e kanë quajtur këtë panair, si një vitrinë për reklamimin e larmishmërisë së prodhimeve bujqësore të qarkut Fier, si dhe një urë lidhëse mes prodhuesve dhe tregtuesve.
“Ky panair është për ne prodhuesit mundësia më e mirë që të prezantojmë për konsumatorin produktet tona, të cilat janë kryesisht BIO, prodhim natyral”, tha administratori i një ferme për prodhimin e mishit (shpend, gica, struc), H. Driza.
Sipas Drizës, produkti bazë që përdoret në fermën e tij blegtorale është misri, prodhim BIO. Ai kërkon nga shteti më shumë vëmendje,për stimulimin e rritjes së prodhimit, por edhe për gjetjen e rrugëve të tregut. “Duke u rritur prodhimet, edhe çmimet do të jenë më të lira”, tha Driza.
“Kujdesi i shtetit reflektohet te politikat financiare dhe subvencionuese, duke shtuar skemat e përfitimit, tek ruajtja e çmimeve të imputove dhe plehrave kimike, te ndërmjetësimi për gjetjen e tregjeve dhe lehtësirave tatimore,” shton ai.
“Panairi është një reklamë për prodhimet tona, pasi rrit shkallën e njohjes me prodhues të tjerë, kontaktet me tregtarët dhe konsumatorin, shkëmbim eksperiencash dhe lidhje e kontratave të biznesit”, thotë K. Lushi, kultivues i bimës së lule shtrydhës.
Duke folur për fermën e tij, Lushi nënvizon se “kultivimi i lule shtrydheve BIO në serat e tij është një risi, pasi është një bimë me veti kurative”.
Sipas prodhuesve të intervistuar, problem kryesor mbetet tregu i jashtëm për eksport.
“Deri tani tregtia me jashtë është e pa organizuar, dhe i gjithë prodhimi shitet kryesisht në tregun vendas nga vetë ne fermerët”, thotë Lushi, duke apeluar për mbështetje të institucioneve në nxitjen e këtij tregu.
Monday, 30 May 2011 07:51