Tiranë – Kryeministri Sali Berisha ftoi sot qytetarët e Fierit që të votojnë më 8 maj kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Ilir Bele, ndërsa premtoi luftë pa kompromis kundër varfërisë, papunësisë dhe standarde më të mira të kujdesit social për personat në nevojë në këtë qytet.
Në vijim të turit elektoral për zgjedhjet vendore të 8 majit, Kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një takim me qytetarë të Fierit, ku shprehu mbështetjen për kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kreun e kësaj bashkie, Ilir Bele.
“Kjo fushatë ka qenë dhe mbetet një nga universitetet më të mëdha të jetës sime, pasi vij si student tek ju për t’u njohur me projektet dhe idetë tuaja”, tha Kryeministri para qytetarëve fierakë.
Berisha renditi disa prej arritjeve historike të kësaj qeverisje si anëtarësimi në NATO dhe lëvizja e lirë. “Ne jemi njerëzit e suksesit, sepse ekonominë e falimentuar shqiptare e ngritëm në krye të rritjes ekonomike në Europë dhe Shqipërinë e bunkerëve dhe kasolleve po e shndërrojmë çdo vit në Shqipërinë e vilave dhe autostradave”, tha Kryeministri.
Sipas tij, “kjo qeveri ka meritën se dyfishoi rrogat, pensionet dhe ndihmën ekonomike në kulmin e krizës ekonomike europiane dhe botërore”.
“Në përpjekjen tonë të gjithë bëjmë gabime, por ne shohim prapa se si t’i ndreqim ato dhe si të ecim më mirë”, tha Kryeministri, duke kërkuar votën e fierakëve për të shndërruar pasuritë dhe potencialet e Fierit në vlera për qytetarët.
Duke e cilësuar Fierin si një qytet me potenciale të jashtëzakonshme, Berisha theksoi se ky është qarku me një bujqësi ndër më të zhvilluarat dhe me fushat e naftës ndër më të mëdhatë në Europë. “Fieri turistik ka brigjet ndër më të bukurat dhe Apolloninë kurorë bukurie në Europë”, tha Berisha, ndërsa siguroi zgjidhje për sistemimin e lumit të Gjanicës.
Por, sipas tij, “Fieri është sërish qyteti i rrugicave me baltë dhe i lumit që nuk meriton”. “Sali Berisha nuk i shmanget kurrë përgjegjësive të tij, por kryetari i bashkisë ka në dorë shumë herë më tepër se qeveria qendrore. Ne duam votën tuaj që t’i japim përgjigjen më të merituar problemeve të punësimit, sepse asgjë nuk duhet të ketë pasion më të madh një kryeqeveritar vendor sa punësimin”, tha Berisha.
Sipas Berishës, të zgjedhurit opozitarë nuk i njohin këto politika, por akti i parë që bëjnë me ardhjen në pushtet është fryrja e organikës së bashkisë. “Në Tiranë, bashkia ka punonjës sa të gjitha ministritë të marra së bashku, në një kohë kur institucionet shtetërore nuk janë qendra të punësimit, por janë qendra të politikës që hapin të gjitha kanalet e punësimit për qytetarët”, tha Berisha.
Kryeministri kërkoi votën e qytetarëve fierakë për të zhvilluar në 4 vitet e ardhshme Fierin modern, të potencialeve të jashtëzakonshme industriale, kulturore dhe turistike.
Duke u ndalur te investimet e qeverisë gjatë këtyre viteve, Berisha theksoi se në qarkun e Fierit janë asfaltuar 403 km rrugë.
“Qeveria po ndërton në këtë zonë austostradat më të mira të vendit. Do të nisë by pass-i i Fierit. Ne po ndërtojmë sistemin arsimor dhe shëndetësor më modern”, tha ai.
Fieri është vendi i rezervave dhe fushave naftëmbajtëse ndër më të mëdhatë në Europë, tha Kryeministri, duke siguruar se “25 për qind e rentës së burimeve të naftës do t’u shkojë qytetarëve të Fierit”.
Thursday, 28 April 2011 19:42