Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 13:44

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, takoi sot përfaqësuesin civil ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith, i cili tha se “periudha e ‘dy kapelave'” të tij ka përfunduar. Në takim u diskutua për hapat e mëtejshëm në situatën e re të krijuar.

Zyra e shtypit e qeverisë bën të ditur se kryeministri Thaçi me këtë rast theksoi se “ne do të punojmë bashkërisht për implementimin e plotë të dokumentit të presidentit Ahtisaari, për integrimin edhe më të fuqishëm të të gjitha komuniteteve në institucionet dhe shoqërinë kosovare, në procesin e demokratizimit të Kosovës dhe implementimit të reformave demokratike për të përmbyllur suksesshëm procesin e pavarësisë së mbikëqyrur në kuadër të axhendës evropiane të Republikës së Kosovës”.

“Ky bashkëpunim do të jetë i ngushtë dhe me besim të plotë i suksesit, prandaj, do të vazhdojmë me axhendën e paraparë, që është axhendë e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë”, shtoi ai.

Ndërkaq, Feith theksoi se “periudha e ‘dy kapelave’ ka përfunduar me përfundimin e mandatit tim si përfaqësues i Bashkimit Evropian dhe tani e tutje unë do të vazhdoj të funksionoj me mbështetjen e shteteve të cilat e njohin dhe e mbështesin Kosovën, si shef i ICO, si përfaqësues ndërkombëtar mbikëqyrës”.

“Unë do të bashkëpunoj shumë ngushtë me qeverinë për jetësimin e mëtejshëm të planit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit. Plani i Ahtisaarit, siç e dini, është projekti për një Kosovë moderne, efektive, funksionale, shumetnike e demokratike, të njohur nga të gjitha shtetet e botës e që ecën përpara me vendosmëri drejt perspektivës evropiane dhe kultivimit të një bashkëpunimi të mirëfilltë”, theksoi Feith.