Lajme Shqip Monday, 30 May 2011 10:14

Fronti Demokratik i Bashkimit Kombëtar (FDBK) i udhëhequr nga veprimtari Gafur Adili, sërish ka kërkuar që shqiptarët në Maqedoni të bojkotojnë zgjedhjet e 5 qershorit.

Sipas tij, edhe përkundër garimit të partive shqiptare, edhe pas këtyre zgjedhjeve nuk do të ndryshojë edhe as nuk do të përmirësojë pozita ekonomiko-sociale dhe as statusi politiko-kombëtar i shqiptarëve siç thuhet “të Shqipërisë Lindore nën Maqedoni”. “FDBK vlerëson se partitë shqiptare do të jenë vetëm një dekor i pushtetit sllavo-maqedonas dhe si të tilla, për dy dekada me radhë edhe e kanë denigruar çështjen Kombëtare të shqiptarëve. Kryesia Qendrore e FDBK, kërkon dhe apelon që votuesit shqiptarë të bojkotojnë këto zgjedhje apo të zhgaravisin fletët e votimit. Ky veprim demokratik, që gjithashtu është edhe një nga format më të civilizuara të shprehjes së protestës qytetare, do të tërhiqte vëmendjen, jo vetëm të liderëve të partive politike (lagje) shqiptare, por edhe të faktorit ndërkombëtar mbi gjendjen ekonomike (të mjerueshme) dhe edhe mbi statusin politiko-kombëtar (të degraduar) të shqiptarëve të Shqipërisë Lindore nën Maqedoni“, theksohet në deklaratën e FDBK-së.