Lajme Shqip Tuesday, 24 January 2012 19:40

Vitin e kaluar, një deklaratë e kryeministrit nxiti një debat të gjerë publik lidhur me nivelin e tarifave dhe komisioneve të bankave. Kjo bëri që Shoqata e Bankave të mbrohej duke publikuar një studim krahasues, ndërsa Banka e Shqipërisë uli kostot e disa shërbimeve që ju ofronte bankave, me qëllim që konsumatorët fundorë të paguanin më pak për këto shërbimeve.

Ndonëse përgjithësisht bankat e kundërshtuan akuzën për komisione tepër të larta, një pjesë e tyre reflektuan, duke i ulur komisionet për shërbime të veçanta. Në një farë mënyre, bankat pranuan se një ulje e komisioneve mund të ishte e nevojshme, për të shtyrë njerëzit që të përdornin më shumë bankat për pagesat e tyre.

Megjithatë, së fundmi regjistrohen edhe kundrashembuj. Banka Kombëtare Tregtare në fund të vitit 2011 vendosi të rrisë komisionet për pagesat e faturave të energjisë elektrike. Nga 50 lekë, komisioni për këtë shërbim u rrit në 150 lekë. Për klientët e bankës, pagesa e faturës së energjisë nga llogaria u rrit nga 0 në 50 lekë.

Sipas vëzhgimit tonë, kryerja e pagesave të shërbimeve utilitare, edhe në bankat e tjera, kryhet kundrejt komisioneve në vlerë nga 100 deri në 150 lekë. Duhet pranuar se mundësimi i pagesave ka një kosto të caktuar për bankat dhe, kësisoj, është e arsyeshme që për këtë shërbim të paguhet një komision. Por, do të ishte gjithashtu e arsyeshme që këto komisione të qëndrojnë në nivele minimale, në mënyrë që pagesa në bankë të mos bëhet peshë për individët.

Rritja e pagesave në banka do të kishte përfitime për të gjitha palët. Konsumatorët do të qëndronin më pak në radhë pranë sporteleve të CEZ-it, Ujësjellësit apo Albtelecom-it. Vetë kompanitë e shërbimeve utilitare do t’i përfitonin më shpejt pagesat e klientëve dhe, për më tepër, drejtpërsëdrejti në llogaritë bankare, pa pasur nevojë që t’i transferojnë aty nga arkat e tyre.

Është edhe në interesin e vetë bankave që individët të përdorin sa më shumë sportelet e tyre për pagesa, sepse kjo forcon edukatën financiare të publikut dhe i nxit njerëzit të përdorin edhe shërbime dhe produkte të tjera, që për bankat mund të jenë më fitimprurëse.