Tiranë – Prodhuesit e industrisë së fasonit do të përfitojnë markën e prodhimeve të tyre “Made in Albania” si përfitim nga projekti i madh europian, “PAN-EURO-MED”.
Zv/ministri i Ekonomisë, Enno Bozdo, tha se përmes këtij programi europian, çdo prodhues i industrisë së fasonit, ku përfshihen veshjet dhe lëkurë-këpuca, të cilët marrin lëndë të para nga importi, pra nga vende të tjera, por që përpunimin e bëjnë këtu, do të përfitojnë direkt vendosjen e markës “Made in Albania” për prodhimet e tyre dhe pa tarifa doganore.
“Këto prodhime me këtë markë do të eksportohen në tregjet e huaja”, tha Bozdo.
Llogaritet që përfitimet për sektorin e prodhimit të industrisë së fasonit të jenë të mëdha dhe si rezultat, pritet një rritje e mëtejshme e zhvillimit të saj.
Gjithashtu zerimi i tarifave doganore, një masë që vendosi së fundi qeveria për këtë industri, si dhe rritja e interesit të komanive të huaja europiane që po i kthejnë sytë nga tregu shqiptar prodhues në kushtet e lëvizjeve politike në disa vende të Lindjes së Mesme, krijon mundësi të mëdha zhvillimi për këtë industri.
Në programin PAN-EURO-MED janë përfshirë një numër i madh vendesh që janë pjesë e marrëveshjeve të tregtisë së lirë CEFTA, EFTA, BE, etj.
Për firmat prodhuese shqiptare të fasonit nga marrëdhëniet tregtare me kompani nga këto vende, përfitimet pritet të jenë të konsiderueshme.
Monday, 18 July 2011 11:18