Lajme Shqip Friday, 20 January 2012 18:00

Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor miratoi kontratat e reja me subjektet farmaceutike për vitin 2012.  Për herë të parë, të gjithë subjektet farmaceutike do të plotësojnë një formular “vetëdeklarimi”.

Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, znj. Elvana Hana, ky formular synon që të lehtësojë proçedurat. Dokumentacioni i plotë do të kërkohet në rastet kur ka ndryshime të kritereve të lidhjes së kontratës si dhe për subjektet që lidhin kontratë me ISKSH-në për herë të parë.

“Në kontratat me Farmacitë për vitin 2012, për të bërë të mundur kontrollin sa më te mirë te barnave me rimbursim, është vendosur për herë të parë marrja e masave me gjobë për cdo vonesë në hedhjen e të dhënave online nga ana e farmacive brenda 48 orësh, afat ky i përcaktuar në kontratë”, tha drejtoresha e ISKSH-së.

Për mos-hedhjen e të dhënave online brenda 15 ditësh nga farmacitë, u vendoset gjobe prej 20 000 lekë. Në rast se, të dhënat online nuk hidhen nga farmacitë për 1 muaj, farmacisë i zgjidhet kontrata deri ne fund të periudhës së kontraktuar.

Edhe kontratat e reja me Depot Importuese dhe Distributore, parashikojnë marrjen e masave për të minimizuar mundësitë abuzive.  Më konkretisht, kur nga kontrolli me inventarizim i barnave të rimbursueshme, në depo rezultojnë diferenca në plus të pajustifikuara (gjendja fizike është më e madhe se gjendja kontabël) me vlerë në masën mbi 10 % të xhiros totale, për barnat e inventarizuara, depos i zgjidhet kontrata nga dita e njoftimit zyrtar deri në fund të periudhës së kontraktimit.

Një tjetër risi ka të bëjë me hedhjen online të të dhënave për barnat e rimbursuara edhe në spitale për një kontroll sa më të mirë të qarkullimit të medikamenteve.