Merr të tjera përmasa skandali i vjedhjes së Thesarit të Shtetit me fatura false dhe kompani fantazmë. Të gjithë të arrestuarit, të shpallurit në kërkim dhe ata që po hetohen deri më tani, duket se janë vetëm një pjesë e zinxhirit të zyrtarëve të lartë të implikuar në këtë aferë sa kriminale por gjithashtu banale dhe e turpshme, sa i takon skemës së përdorur. Përpos kupolës së Tatimeve, drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve dhe zëvendësministrit të Financave, i cili duket se ka firmosur daljen e parave nga thesari, në skenë po dalin emra të rinj. Bëhet fjalë për familjarë të Sali Berishës si dhe të drejtuesve të lartë të Partisë Demokratike, të cilët e kanë detyruar dhe përdorur kupolën e Tatimeve për të përvetësuar paratë e taksapaguesve shqiptarë. Që pas zyrtarizimit të përmbysjes së Sali Berishës nga pushteti e deri kur u konstituua qeveria e re, miliona euro janë vjedhur nga thesari me fatura false, duke rimbursuar me TVSH kompani që nuk ekzistonin. Me dhjetëra zyrtarë dhe administratorë kompanish sot janë në burg, por ata që kanë marrë paratë janë të lirë dhe kërcënojnë institucionet ligjzbatuese dhe mazhorancën. Orkestruesit e skandalit në fjalë janë pikërisht familjarë të Sali Berishës dhe të liderëve të tjerë të PD. Lajmi është konfirmuar vetë nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i cili u ka bërë thirrje familjarëve të kryetarëve të PD që të kthejnë paratë në buxhet. “Unë u jam drejtuar liderëve të PD. U jam drejtuar ish kryeministrit dhe ish ministrit të Financave, që t’u bëjnë thirrje familjarëve dhe miqve të tyre që t’i kthejnë ato para. Sepse shumë shpejt po mbyllet laku dhe ata nuk kanë ku shkojnë”, ka deklaruar Cani. Ai ka deklaruar se ka nisur një hetim i thelluar për skemën e mashtrimit. “Shifra ende nuk është e certifikuar për një arsye shumë të thjeshtë, pasi ne kemi zbuluar afro 100 raste, ku individë dhe biznese, në bashkëpunim, kanë realizuar veprime kriminale si në rrëmbim të të ardhurave të buxhetit me TVSH false dhe skema mashtrimi që do t’i quaja ordinere. Shumë hapur, shumë në mënyrë banale. Ka hajdutë që të vjedhin dhe mezi i zbulon, kurse ata ishin shumë të thjeshtë. Duket se kanë kujtuar se gjithë jetën do vazhdojnë me këtë mënyrë”, ka deklaruar ai. Presione Ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka deklaruar se ministria po tregohet shumë e kujdesur me hetimin dhe informacionin, pasi ata që kanë vjedhur paratë, nisin presionet dhe kërcënimet. “Le të vazhdojë punën secili organ i ftohtë nga të gjitha veprimet se sa herë nxjerrim nga një gjë, egërsohen njerëzit dhe fillojnë e bëjnë presione. Presione, që diku edhe mund të japin efekt. Kështu që unë dua t’i lë njerëzit e mi të bëjnë punën që u takon, por edhe organet e tjera të shtetit të bëjnë punën e tyre. Do dalin të gjitha në kohën e vet. Mund të zvarriten pak sepse ende nuk i kemi të gjitha gjërat në dorë, janë po të njëjtët njerëz, që ndoshta dhe rezistojnë, ndoshta janë edhe vet të përzierë. Por, ne jemi të vendosur drejt kësaj rruge, kështu që do dalë”, tha ai. Bode dhe Rushaj Ashtu siç edhe ka paralajmëruar Shkëlqim Cani, laku i drejtësisë po u ngushtohet edhe dy ish-zyrtarëve të lartë, të cilët duket se janë edhe koka e skemës mashtruese me rimbursimin e kompanive fantazmë. Rrjeti i zyrtarëve të implikuar shtrihet deri në rang ministrash dhe zëvendësministrash, të cilët kanë firmosur boshatisjen e thesarit pas zgjedhjeve të 23 Qershorit me kompani fantazmë. Bëhet fjalë për ish-ministrin e Financave, Ridvan Boden dhe ish-zëvendësministrin e Financave, Alfred Rushaj, të cilët duket se ka firmosur daljen e parave nga Thesari i Shtetit. Siç dihet paratë nuk mund të dalin nga Thesari i Shtetit pa firmën e ministrit të Financave, por kompetencat e këtij të fundit mund t’i ushtrojë edhe zëvendësministri i Financave, në rastin konkret, Alfred Rushaj. Sipas burimeve, përpos ish-krerëve të tatimeve, në skemën e rimbursimit të kompanive fantazmë është implikuar edhe ish-zëvendësministri i Financave Alfred Rushaj. Afera me taksën e basteve sportive Ligji nr. 10 033, dt 11.12.2008 “për lojërat e fatit” (i ndryshuar me ligjin nr. 10351, datë 11.11.2010), në nenin 4.4 të tij, parashikon tatimin e fitimit të organizatorit të lojërave të fatit. Ky ligj, parashikon në mënyrë të qartë që brenda datës 10 të muajit pasardhës, organizatori i lojërave të fatit derdh në llogari të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve 0,2 për qind të shumave të grumbulluara, në përputhje me këtë nen, për zhvillimin e sporteve. Paratë janë dredhur normalisht deri në vitin 2010. Ndërkaq, pas vitit 2010 nuk figuron asnjë shumë derdhur. Skandali është denoncuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Fidel Ylli. Shuma e zhdukur arrin në mbi 5 milionë USD. Nuk dihet nëse paratë janë zhdukur pasi kanë shkuar në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, apo kjo taksë nuk është mbledhur, por është ndarë me pushtetarëve të Sali Berishës dhe subjekteve të lojëra të fatit. 26 milionë USD kostoja e mashtrimit Plot 26 milionë USD është shuma e vjedhur nga kupola e Tatimeve, e cila ka rimbursuar kompani fantazmë me TVSH. Ndërkaq, arrestimi i dy shefave të Tatimeve dhe shpallja në kërkim e shtatë zyrtarëve të tjerëve, është pasur me firmosjen e 20 urdhër-arresteve të tjera dhe me prangosjen e 9 zyrtarëve të Tatimeve. Ndërsa Prokuroria është vënë në kërkim të shtatë zyrtarëve të arratisur, hetimet kanë avancuar duke nxjerrë edhe persona të tjerë përgjegjës. Kështu, Njësia e Specializuar Task Forcë e Prokurorisë ka identifikuar të tjerë persona të përfshirë në skemën e mashtrimeve me tatimet. Kështu, janë prerë edhe 20 urdhër arreste të tjera, në lidhje me mashtrimin me rimbursimin e TVSH-së, që u zbulua nga Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe Task-Forca e Prokurorisë. Ndërkaq, ka filluar edhe zbatimi i urdhër arresteve. Në kuadër të këtij hetimi, gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë ka vendosur masën e “arrestit me burg”, për disa persona, administratorë dhe punonjës të disa kompanive. Skema e aplikuar Nga hetimet ka rezultuar se disa subjekte tregtare janë regjistruar në QKR dhe në Administratën Tatimore, në mënyrë fiktive persona të ndryshëm pa asnjë lloj aktiviteti tregtar me qëllim tërheqjen e blloqeve me faturat e TVSH, duke kryer më pas blerje fiktive të skrapit dhe duke shmangur pagimin e TVSH në vlerën e sipërpërmendur. Në këtë skemë mashtrimi me TVSH janë përfshirë një numër i madh subjektesh dhe hetimet kanë zbuluar dhe dokumentuar veprimtarinë kriminale që të pandehurit kryenin duke përfituar nga shitjet fiktive dhe duke bërë të mundur kreditimin e TVSH për çdo blerje. “Ky hetim është filluar nga strukturat e inteligjencës në Drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe më pas veprimet proceduriale dhe hetimore kanë bërë të mundur dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie që shtrihet në Qarqet Tiranë, Elbasan, Lezhë etj. Të arrestuarit, kanë konsumuar plotësisht elemente të veprave penale të mashtrimit të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 143/3 dhe 25 i Kodit Penal, falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve në bashkëpunim parashikuar nga neni 190/2 dhe 25 i Kodit Penal. /sot news/
|
|
Friday, 27 December 2013 16:40 19 June 2014 13:15
17 June 2014 14:50
16 June 2014 13:42
12 June 2014 22:34
1 April 2014 12:34
2 March 2014 16:11
27 February 2014 14:52
27 February 2014 12:22
21 February 2014 14:11