Tiranë – Shoqëria “City Park” që funksionon prej 3 vjetësh në autostradën Tiranë-Durrës ka falimentuar. Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj në Tiranë ka kërkuar përpara dy ditësh nga gjykata civile shpalljen e falimentimit të shoqërisë “City Park”.
Mediat në Shqipëri kanë bërë të ditur se autoritetet tatimore kanë depozituar kërkesën për deklarimin e falimentimit të shoqërisë më 31 janar dhe tashmë çështja është në gjykim në Gjykatën e Tiranës nga gjyqtari Artan Lazaj. Falimentimi i “City Park” është më i madhi i këtyre viteve ndër kompanitë shqiptare, por të njëjtin fat e kanë pasur më parë shumë kompani të huaja që kishin investuar në Shqipëri. Qendra tregtare “City Park” hapi dyert në dhjetor të vitit 2009. E vendosur në një territor me një sipërfaqe prej 237 600 metrash katrorë dhe me më shumë se 180 dyqane dhe vende argëtimi, kjo qendër tregtare ka qenë nga më të mëdhatë në Shqipëri. Sipas autoriteteve tatimore të Tiranës, qendra tregtare më e madhe në Shqipëri është e falimentuar dhe mbetet vetëm ta shpallë zyrtarisht këtë faliment.
Falimentimit i ka paraprirë një situatë financiare jo e mirë gjatë dy vjetëve të fundit, kur asete të shoqërisë janë vënë nën sekuestro konservative nga bankat që kanë dhënë kredi për ndërtimin e qendrës tregtare. Më 19 dhjetor 2009, gjatë ceremonisë së inaugurimit të qendrës tregtare, kryeministri Sali Berisha deklaronte se “suksesin e investimeve të tilla e garantojnë edhe politikat fiskale dhe reformat e thella ekonomike që ka ndërmarrë dhe ndërmerr qeveria shqiptare”. Ai e quajti këtë sipërmarrje “…dëshmi e suksesit të kësaj ekonomie, dëshmi e suksesit të këtyre reformave”. Ndërkohë lista e kompanive të huaja të falimentuara në Shqipëri në tre-katër vjetët e fundit është e gjatë. Pa përfshirë më të madhen, CEZ Shpërndarje, situata e së cilës është e komplikuar, shumë kompani të tjera në fushën e energjisë e kanë lënë Shqipërinë. Janë tri kompani greke të naftës, përfshirë gjigantin “Hellenic Petroleum”, që janë tërhequr nga ky vend edhe “Sky Petroleum”, u largua me një kërkesë për dëmshpërblim 1 miliard dollarë.
ENEL, gjiganti tjetër italian, u tërhoq nga dy sipërmarrje private: e para, me privatizimin e OSSH-së (në çastet e fundit), e dyta me investimin 2 miliardë euro për ndërtimin e TEC-it 800 MW në Porto Romano, Durrës. Së fundi, grupi austriak DCM që operoi prej disa vjetësh në vend, në minierën e Bulqizës dhe në fabrika të përpunimit të mineralit krom, e shiti koncesionin e vet tek një biznesmen shqiptar Saimir Mane. Në sektorin e tregtisë, shoqëria sllovene e rrjetit të supermaketeve “Mercator”, nuk operon në tregun shqiptar prej janarit 2013. Të njëjtin fat pati edhe grupi gjerman “Praktiker”. Ndërkohë që edhe grupi belg Delhaize Albania Sh.p.k që ushtronte veprimtarinë e saj në fushën e tregtimit me pakicë të produkteve ushqimore me anë të rrjetit të saj prej 18 dyqaneve “Euromax” në të gjithë Shqipërinë e ka shitur aktivitetin e personit që ia bleu dy vjet më parë. Samir Mane, zhvilluesi i zinxhirit të parë të madh të supermarketeve në Shqipëri, e ka blerë sërish rrjetin e supermarketeve “Euromax” në janar, pasi ia shiti atë disa vjet më parë grupit serb “Delta” dhe ky i fundit në 2011 ua shiti belgëve të Delhaise.
Lajmi konfirmohet nga Autoriteti i Konkurrencës, sipas të cilit, në datën 7 janar 2013, Autoriteti i Konkurrencës ka marrë njoftimin e transaksionit të realizuar në bazë të “Memorandumit të mirëkuptimit”, të nënshkruar ndërmjet palëve (“Balfin Sh.p.k” në cilësinë e blerësit dhe “Delihaze Group S.A” në cilësinë e shitësit) më datë 20 dhjetor 2012, me objekt përftimin e kontrollit të shoqërisë “Delhaize Albania Sh.p.k” nga shoqëria Balfin Sh.p.k nëpërmjet transferimit të 100% të kuotave.Të tjera largime të bujshme prekin edhe sektorin e turizmit, si me fshatin Kakome, ku francezët prestigjiozë të “Club Med” u tërhoqën nga investimi, për shkak të problemeve me pronën dhe mungesën e mbështetjes nga qeveria shqiptare. Te ky sektor duket se janë tërhequr edhe dy projekte të tjera, me vlerë investimi mbi 1 miliard euro, për resorte dhe fshatra turistikë në Durrës dhe Kavajë.(LajmeShqip.com)
Monday, 04 February 2013 12:50