Prishtinë – Monitorimi ndërkombëtar vlerëson se regjistrimi i popullsisë dhe ekonomive familjare në Kosovë plotëson kushtet profesionale të transparencës, cilësisë dhe paanshmërisë.
Në komunikatën për shtyp, të publikuar sot nga Komisioni Europian dhe EUROSTAT, thuhet se Kosova ka kryer, pas tre dekadave, regjistrimin e parë të popullsisë dhe ekonomive familjare në prill të vitit 2011.
Regjistrimi do të sigurojë informata të vlefshme statistikore mbi popullsinë dhe kushtet e jetesës së saj, informacion që do të drejtojë planifikimin e politikave gjatë dekadës së ardhshme.
Që nga viti 2005, veprimet e regjistrimit janë monitoruar vazhdimisht nga një Operacion i Monitorimit Ndërkombëtar (IMO), i përbërë nga Komisioni Evropian (EUROSTAT), Këshilli i Evropës, UNECE dhe UNSD si dhe ekspertë të njohur ndërkombëtarë të regjistrimit.
Objektivi i IMO është të sigurojë që regjistrimi është në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare të regjistrimit të miratuara nga Kombet e Bashkuara dhe se është kryer në mënyrë të drejtë dhe të paanshme.
Në tetor të vitit 2010, IMO kërkoi që veprimet e regjistrimit të jenë në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare dhe miratoi synimin e autoriteteve të Kosovës për të kryer regjistrimin prej 1-15 prill 2011.
Gjatë regjistrimit në prill 2011, IMO ka pasur një ekip prej 27 ekspertësh të regjistrimit, të cilët monitoruan regjistrimin në terren. Nëpërmjet këtyre vëzhgimeve, IMO kishte mundësinë të ndjekë nga afër mbledhjen e të dhënave të regjistrimit në mënyrë që të mbikëqyrë aplikimin e standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të dhënave dhe konfidencialitetin.
“Vlerësimi i përgjithshëm i IMO është se regjistrimi ishte kryer në mënyrë të kënaqshme dhe se ai plotëson kushtet profesionale të transparencës, cilësisë dhe paanshmërisë”, theksohet në komunikatë.
Thursday, 29 September 2011 19:37