Bruksel – Udhëheqësit e eurozonës u pajtuan të përdorin fondin e shpëtimit për të mbështetur bankat në veshtirësi, pa ja shtuar këtë borxhit qeveritar. Pas 13 orë bisedimesh, ata pranuan të krijojnë një organizëm vëzhgues të bankave të eurozonës. Duke bërë publike marrëveshjen, Presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompi shpjegoi se pakti do të depërtojë “rrethin e gabueshëm”, ku kanë hyrë bankat dhe qeveritë kombëtare.
“Ne ramë dakort për një gjë shumë të rëndësishme që bankat të mund të rikapitalizohen drejpërsëdrejti në disa rrethana dhe gjëja më e madhe është se mund të vëmë në zbatim një mekanizëm vëzhgues dhe vendimi i dytë është se ne jemi të hapur për mundësitë për vendet që sillen mirë, kemi hapur të gjitha mundësitë për të përdorur instrumentet e stabilitetit, (EFSF, ESM), me qëllim për t’u dhënë garanci tregjeve”, tha Herman Van Rompi, president i Këshillit Evropian.
Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel ka thënë se është e kënaqur me arritjen e marrëveshjes për t’u ndihmuar vendeve të eurozonës të zhytura në borxhe. “Mendoj se kemi arritur një kompromis të mirë. Një mekanizëm i ri mbikëqyrës do të t’ia mundësojë Bankës Qendrore Evropiane që t’i vëzhgojë për së afërmi bankat tjera”, tha Angela Merkel, kancelare e Gjermanise.
Spanja është në pritje të ndihmës prej 100 miliardë eurosh nga eurozona për rikapitalizimin e bankave të saj. Merkel tha se marrëveshja rreth huave, do të sigurijë garanci të mjaftueshme për paratë e taksapaguesve të përdorura nga fondet shpëtuese të BE-së.
Fondi ekzistues i shpëtimit i BE-së, EFSF,(Mekanizmi për stabilitet financiar evropian), do të ofrojë ndihmë deri në hyrjen në fuqi të fondit të ri dhe permanent, ESM (Mekanizmi për stabilitet evropian), gjë që do të ndodhë muajin e ardhshëm. Udhëhqësit e eurozonës ranë dakor të fillojnë zbatimin e vendimeve të marra në samit, nga 9 korriku. (LajmeShqip.com)
Saturday, 30 June 2012 09:50