Misioni i Bashkimit evropian për sundim të ligjit ka mohuar të jetë bërë ndonjë marrëveshje midis autoriteteve në Beograd dhe shefit të saj Xavier de Marnac gjatë vizitës së këtij të fundit në Beograd. Zyrtarët e EULEX-it kanë përjashtuar çfarëdo mundësie për marrëveshje me zyrtarët në Beograd rreth funksionimit të këtij misioni në veri të Kosovës.
Zëdhënësja Irina Guduleviç tha se Marnac u ka thënë autoriteteve në Beograd se EULEX do të vazhdojë punën për sundimin e ligjit në veri pa vonesa dhe pa kushte.
“ Dëshiroj të qartësoj që EULEX-i nuk ka bërë dhe as nuk do të bëjë ndonjë marrëveshje sepse liria e lëvizjes nuk është e negociueshme. Ne nuk bëjmë marrëveshje kur është puna e lirisë dhe qasjes së plotë në veri”-thotë Guduleviç.
Ajo ka mohuar gjithashtu që heqja e disa barrikadave që janë bërë së fundi, të jetë rezultat i ndonjë marrëveshje midis EULEX-it dhe autoriteteve në Beograd. Lëvizja e në veri të Kosovës edhe për misionin e Bashkimit Evropian është reduktuar që nga 25 korriku i vitit të kaluar kur autoritet e Kosovës vendosën të marrin nën kontroll dy pikat kufitare atje.
Friday, 24 February 2012 15:01