Prishtinë – EULEX-i është përgjegjës dhe i aftë për të hetuar dyshimet mbi trafikimin e organeve njerëzore, për të cilat pretendon Raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, ka deklaruar shefi i komponentës së drejtësisë në kuadër të EULEX-it, Silvio Bonfigli.
“EULEX-i tashmë po zhvillon hetimet preliminare. Kur bëhet fjalë për kryes veprash dhe viktima nga Kosova, EULEX-i ka ingerencat, e përgjegjësitë tona janë ekskluzive edhe kur bëhet fjalë për rastet e krimeve të luftës dhe krimin e organizuar”, ka thënë Bonfigli në intervistën dhënë agjencisë serbe të lajmeve Beta.
Duke thënë se EULEX-i aktualisht gjykon edhe në rastet e krimeve të kryera jashtë Kosovës, ai ka hedhur poshtë pohimet se misioni i tij nuk ka kompetenca për të zhvilluar hetime jashtë territorit të Kosovës, transmeton ReL.
Në këtë intervistë ai ka folur edhe për çështjen e gjykatave në Mitrovicë, duke shprehur optimizmin e tij se “në të ardhmen e afërt, do të arrihet një zgjidhje”.
Bonfigli gjendet në Beograd për t’u takuar me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë të këtij vendi.
Thursday, 19 May 2011 14:49