Prishtinë (PLOTESUAR 18:00)-Iu dha lamtumira e fundit Dino Asanajt, drejtorit të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Asanaj u varros në orën 17 në varrezat e qytetit në Prishtinë, nga familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij. Në emër të Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuqi tha se do e ndjejnë mungesën e Dino Asanajt, siç e quajti ai, një burri të çmuar, të civilizuar dhe me tradita intelektuale dhe familjare.
“Dino Asanaj megjithëse i shpërngulur në SHBA asnjëherë nuk iu nga atdheu i tij, ai iu gjet pranë vendin në momentet më të vështira duke dhënë kontributin e çmuar si në luftën për liri, po ashtu edhe në rindërtimin e vendit. Zoti Asanaj në momentet më të vështira dhe më të rëndësishme për liri e Kosovës, nuk ka hezituar për të dhënë ndihmën e tij, këshillat e tij dhe gjithë potencialin intelektual dhe njerëzor për vendin e tij. Kështu, ai dha një kontribut të çmuar në procesin e vështirë të negociatave të gjata që quan në çlirimin e Kosovës, në luftën e UÇK-së dhe duke u shndërruar një urë-lidhëse në mes të Kosovës dhe migracionit tonë në botë, në veçanti në SHBA”, ka thënë ai.
Ndërsa, në emër të familjarëve të tij, foli Haxhi Arifi, i cili tha se Dino do të vazhdojë të jetojë me veprën e tij. “Dino u largu parakohshëm prej familjes për të hapur horizonte për të gjithë ne. Dino fatkeqësisht u largu parakohshëm edhe nga jeta, është humbje e madhe e pakompensueshme, për të gjithë. Kur ju shoh të gjithë ju bindem që Dino do të vazhdojë të jetojë me veprën e tij”, ka thënë ai.
Atë e varrosën familjarët e tij, kolegët dhe shumë zyrtarë të lartë të vendit. Asanaj vdiq dje në QKUK, pas plagëve të marra me thikë në zyrën e tij në Fshatin Ndërkombëtar në Prishtinë, kurse ende nuk është arrestuar askush lidhur me rastin e vrasjes se tij. (LajmeShqip.com)
*****************************************
Prishtinë (PLOTESUAR 16:00)- Biznesmeni Remzi Ejupi ka reaguar pas publikimit dhe lakimit të emrit të tij në media, përderisa ka kërkuar që vrasja e “tmerrshme e Dino Asanajt të zbardhët sa më shpejt”.
“Me keqardhje kam marr lajmin për vrasjen makabër të z. Dino Asanaj. I shprehi ngushëllimet e mija më të sinqerta familjes Asanaj. Kjo vrasje e tmerrshme e cila na ka tronditur të gjithë neve duhet zbardhur sa më shpejt dhe të marrin dënimin e merituar ata që bënë këtë akt qyqar”, shkruan në reagimin e tij Ejupi.
Ai në këtë rast ka përmendur me keqardhje deklarimet e tij të mëparshme për raportet e tij më të ndjerin rreth rastit të Hotelit “Grand”. Këtë thotë se e bën për shkak të publikimit nëpër media të emrit të tij dhe rastit “Grand”.
“Unë qëndroj mbrapa deklarimeve të mija për të cilat kanë raportuar gazetat: “Express”, “Zëri” dhe “Koha ditore”, unë edhe drejtpërdrejt kam folur në emisionin Interaktiv në KTV. Ftoj të gjithë që të presim rezultatet e hetimeve dhe të mos e shfrytëzojnë rastin dhe vdekjen tragjike të të ndjerit Asanaj për përfitime personale dhe për ta shitur gazetën. Mbes i bindur që autoritetet e vendit dhe ato ndërkombëtare do të zbardhin motivet e vërteta të kësaj ngjarjeje tragjike”, ka thënë ndër të tjera Ejupi.
Reagimit i Remzi Ejupit, pronarit të Gazetës “Zëri”, vjen pasi që në zyrën e Dino Asanajt, policia ka gjetur një letër në dorëshkrim. “Remzi Ejupi, gazeta ‘Zëri’ dhe Abdurrahman Konjufca ma kanë shkatërruar jetën dhe familjen time dhe unë vendosa ta zbatoj ligjin duke vepruar kështu”, janë këta rreshtat në letrën që duket se është nënshkruar nga vetë Asanaj, shkruan sot Koha Ditore. (LajmeShqip.com)
************************************
Prishtinë (PLOTESUAR 15:00)-Dino Asanaj është vetëvrarë. Ky është konstatimi i autopsisë, i kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Burimet i kanë thënë “Kohës Ditore” se në trupin e të ndjerit ka pasur një therje fatale me thikë në zemër dhe në mushkëri, ndërsa në pjesën e fytit ka pasur disa prerje të lehta. Një ekspert, që ka marrë pjesë në autopsi, ka thënë se rezultati është ky dhe i saktë dhe se përvojat tregojnë se ka raste kur njeriu ka therur veten deri në dymbëdhjetë herë. Në autopsi merret vesh se kanë marrë pjesë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Pritet brenda pak orësh konfirmimi zyrtar i kësaj gjetjeje. Po ashtu ka dyshime se arsye që çoi në vetëvrasje kryetarin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj, janë shantazhet që kishin të bënin me punën e tij. (LajmeShqip.com)
**********************************************
Prishtinë (15.06.2012 / 14:00) – Me një minutë heshtje të mbajtur nga Kuvendi i Kosovës, ka filluar mbledhja komemorative për kryetarin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanajn. Një fjalë rasti ka mbajtur, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili ka thënë se Dino ishte një punëtor i madh dhe mik i dashur që do t’i mungoj të gjithëve.
Kryekuvendari ka thënë se Dino Asanaj në jetën e tij të shkurtër, bëri aq shumë për të mirën e vendit të vetë, për të cilën u përkushtua pa kursim.
Ai ka shtuar se në kushtet e Kosovës së robëruar, Dino i ri, ndonëse kishe mbaruar studimet profesionale më 1985 detyrohet t’ia kthej shpinën atdheut për një jetë më të sigurt në SHBA deri në vitin 1995.
Kreu i legjislativit ka theksuar se me punën dhe djersën e tij, Dino Asanaj ka arritur që të bëhet një nga mërgimtarët më të suksesshëm të Kosovës.
“Me punën, aftësitë profesionale dhe organizative me djersën e vet, arriti shpejtë bëhet një nga mërgimtarët e suksesshëm, përmes kompanisë së tij të projekteve banesore dhe komerciale. Edhe pse larg saj, Dino Asanaj nuk e kishte braktisur as harruar Kosovën e tij të dashur. Krahas punës së palodhshme, ai u angazhua me veprimtari shoqërore, politike, ushtarake e diplomatike në shërbim të vendit të vetë të robëruar”, ka theksuar Krasniqi.
Për më tepër, ai ka shtuar se kulmin e angazhimit në politikë, Asanaj e arriti si përfaqësues i UÇK-së në SHBA. Gjithashtu, kanë qenë të pareshtura angazhimet e tij në qarqet politike e diplomatike në SHBA dhe në vendet tjera.
Po ashtu, ai ka përmendur edhe kontributin e tij si këshilltar në konferencën ndërkombëtare në Rambuje, për të cilën është dekoruar me Medaljen e Nderit.
Krasniqi ka thënë se Asanaj ishte një punëtor i madh dhe mik i dashur që do t’i mungojë të gjithëve.
“Ai ishte i ndërgjegjshëm për kompleksitetin e këtij procesi dhe për rëndësinë jetike të privatizimit. Dino Asanaj ishte një punëtor i madh dhe mik i dashur dhe duhet thënë këtu që me virtytet e tij të larta ai kishte shumë miq, të cilëve d’ t’u mungojë gjatë. Ai do t’i mungojë edhe Kosovës për të cilën u angazhua shumë dhe aq gjatë”, ka theksuar Krasniqi.
Në fund të fjalimit, ai ka ngushëlluar familjarët e tij, miqtë dhe kolegët për humbjen e Dino Asanajt. Nderimet nga deputetët janë bërë në hollin e Kuvendit të Kosovës. (LajmeShqip.com)
*********************
Prishtinë – EULEX-i është implikuar në hetimet për zbardhjen e rrethanave të vdekjes mizore të Dino Asanajt, kryetarit të Bordit tëAKP-së. Burimet e Portalit LajmeShqip.com kanë thënë se në këtë rast janë përfshirë edhe hetues amerikanë.
Autoritetet e rendit në Prishtinë, ende nuk kanë dhënë ndonjë detaj lidhur me motivet dhe vrasjen e Dino Asanajt, drejtor i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i cili të enjten vdiq nga plagët e marra nga një sulm me thikë.
Në Kuvendin e Kosovës në ora 12 mbahet një mbledhje komemorative. Varrimi i të ndjerit bëhet sot.
Ndërkohë një letër në dorëshkrim dhe një stilolaps mbi të është gjetur në tavolinën e punës së Dino Asanajt që flet për mundësinë e vetëvrasjes – apo edhe të inskenimit të vetëvrasjes.
Letra ka orientuar organet e rendit që tëkryejnë hetime edhe për vrasje, edhe për vetëvrasje. Letra me tre rreshta që duket se është e nënshkruar nga vetë Asanaj është gjetur në zyrën private të tij në Fshatin Ndërkombëtar në Hajvali.
Në këtë letër, përmbajtjen e së cilës e ka mësuar “Koha Ditore”, përmenden akuzat e biznesmenit Remzi Ejupi, të bëra javë më parë në gazetën “Zëri”, si dhe akuzat e shpeztarit nga Lipjani, Abdurrahman Konjufca.
“Remzi Ejupi, gazeta ‘Zëri’ dhe AbdurrahmanKonjufca ma kanë shkatërruar jetën dhe familjen time dhe unë vendosa ta zbatojligjin duke vepruar kështu”, shkruan në këtë letër, ka thënë një burim Brenda hetuesisë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Remzi Ejupi është pronar edhe i gazetës “Zëri”.
Akuzat publike patën nisur pas marrjes së hotelit “Grand” në menaxhim të AKP-së si pasojë e mospërmbushjes së detyrimevepër investime që kishin aksionarët Zylqif Berisha, Remzi Ejupi e BehgjetPacolli.
Siç shkruan “Koha Ditore”, autopsia e trupit të Dino Asanajt duket se do të hedh poshtë mundësinë e vetëvrasjes, meqëekzaminimi i parë tash ka treguar se i ndjeri ka më shumë goditje me thikë se që do të ishte e mundur po të ishte vetëvrasje.
“Së paku shtatë plagë nga thika janë evidentuar në trupin e Asanajt”, ka thënë një burim i sigurt për gazetën. (LajmeShqip.com)
Friday, 15 June 2012 11:04