Lajme Shqip Thursday, 06 August 2015 09:23

Përsëri historia e plisit, pra edhe në edicionin e pestë të festivalit Etnofest, u tregua si elementi që përfaqëson identitetin shqiptar. Rreth gjysmë orë rrugë duhej të kaloje gjersa mbërrije tek vendi i cili të rikthen në shekullin e XIX, pasi thuajse çdo gjë është ashtu siç ka qenë dy shekuj më parë. Etnofest i cili për herë të pestë radhazi është mysafir në fshatin Kukaj këtë edicion hapjen e kishte më ndryshe. Sapo mbërrije tek dyert ku edhe ndaheshin skena e madhe, skena e vogël, etnogaleria, amfiteatri, oda e zjarrit, e shumë vende të tjera ku edhe do të zhvillohen aktivitete të ndryshme gjatë pesë ditëve të këtij festivali, hasje në ekspozitën me fotografi të bëra që nga fillimi i këtij festivali e deri në edicionin e tij të katërt, me ndryshime e progres.

E pas kësaj ekspozite me fotografi të vetë festivalit radhën e kishte ekspozita e skicave dhe etydeve të piktorit Abdurrahim Buza për të cilën për KultPlus foli profesor Shyqyri Nimani, duke treguar se kjo ekspozitë është shumë e përshtatshme për këtë festival, pasi që edhe vetë piktori ka qenë idhtar i ruajtjes së traditave, duke pikturuar gjëra të ndryshme që tregojnë më mirë këtë.

 “Në këtë ekspozitë kemi një koleksion të rreth 100 veprave, ku 50 nga to janë larguar pasi që s’ka pasur vend se ku ti vendosin. Përzgjedhja që në këtë ambient kaq të bukur që të ekspozohen një pjesë e opusit të pikturave të profesorit të nderuar ka qenë shumë e qëlluar, pasi që vetë ambienti dhe koncepti i këtij mjedisi është që të promovohen, të zhvillohen dhe të dalin në pah të gjitha ato vlera të trashëgimisë kulturore e etnografike shqiptare. Profesori, Buza është marrë gjithmonë me tema që kanë të bëjnë me etnografinë shqiptare, e për këtë mund të ju tregoj pikturën e tij shumë të veçantë ku është një nënë duke vënë në gjumë dy djemtë e saj, dhe sipër kokës së saj në muri janë të vendosura dy pushkë, që tregojnë se ata fëmijë duhet të bëhen luftëtarë për atdhe”, tregoi profesor Nimani.

Drejtori i festivalit – Fadil Hysaj tregoi për dy programet që u mbajtën, e të cilat ishin më të ngjeshura se herëve të tjera.

“Ky festival besoj se na kthen në nacionalitetin të cilin e kemi, sepse nuk është vetëm gjuha shqipe ajo që na bënë shqiptar por ne duhet të dimë se si kanë jetuar të parët tanë, si janë ushqyer, si kanë biseduar, me çfarë mjetesh kanë punuar, dhe çdo gjë tjetër që në njëfarë mënyre na lidhë me jetën e mëhershme të baballarëve dhe studiuesve tanë”, theksoi Hysaj. Ai më tej vazhdoi të tregonte se ky fshat është shumë i përshtatshëm për këtë festival, gjithashtu foli edhe për infrastrukturën, ku siç tha ai vitin e ardhshëm ka marrë premtime se rruga do të asfaltohet dhe kështu artdashësit do ta kenë më të lehtë të vijnë në Etnofest.

Pa praninë e ansambleve të ndryshme të trevave shqiptare ky festival nuk do të kishte këtë karakter që ka. Mbrëmë nga Lezha kishte ardhur Etno Ansambli “Dedë Ndue Lazari”, të cilët na rikthyen shumë kohë më parë, me këngët që i kënduan e jo vetëm këto pasi në mesin e tyre u këndua edhe një ninullë.

E pas shumë aktiviteteve që e karakterizuan ditën e parë të Etnofestit, krejt për fund ishte koncerti i këngëtares Edona Reshitaj e cila këndoi një mori këngësh, duke filluar nga ato shqip e deri te repertori i këngëve të huaja.

Etnofest do të vazhdojë edhe për katër ditë të tjera, duke na sjellë kështu aktivitete të ndryshme kulturore të cilat nuk duhet humbur. / KultPlus.com