Prishtinë – Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Ernst Reichel, në një fjalim sot para Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, tha se neni 143 i Kushtetutës, i cili përcakton qartë se “Propozimi gjithpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës”, e ashtuquajtura “Pako e Ahtisaarit”, ka përparësi karshi të gjitha burimeve të tjera ligjore në Kosovë, edhe karshi vetë Kushtetutës.
“Kjo vlen të përmendet, meqë ditëve të fundit ka pasur diskutime politike, të cilat nxjerrin dyshime, nëse ekziston vullneti për të respektuar dhe zbatuar Pakon e Ahtisaarit edhe atëherë, kur kjo është jo komode. Moslejimi i kësaj është një përgjegjësi politike dhe kushtetuese e të gjitha organeve shtetërore të Kosovës, edhe e Parlamentit”, tha ambasadori gjerman.
“Për këtë, unë dëshiroj të shfrytëzoj rastin për të theksuar, se ndonëse pavarësia e mbikëqyrur ka gjasë të përfundojë, me shpresë në një të ardhme jo të largët, obligimi ndaj Pakos së Ahtisarit nëpërmjet Kushtetutës së Kosovës nuk përfundon me këtë. Dhe nëse dalin dyshime mbi besnikërinë e organeve kushtetuese kosovare ndaj Pakos së Ahtisaarit, atëherë kjo nuk është një shenjë inkurajuese për një fund të afërt të mbikqyrjes ndërkombëtare”, ka thënë ambasadori Reichel, i cituar në njoftimin për shtyp të lëshuar nga Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë.
Thursday, 15 September 2011 20:12