Lajme Shqip Saturday, 15 March 2014 15:12

Është zyrtare! Ermal Mamaqi është personazhi më popullor në rrjetin social “Facebook”. Artisti i dashur i skenës, ka arritur të mposhtë në këtë ‘garë’ virtuale edhe figurat më të rëndësishme të politikës.

Rekordin për ndjekës në “Facebook” deri më tani e mbante Sali Berisha, i cili ndiqej nga Ermali, pas të cilit vinte këngëtarja Genta Ismajli, duke e mbyllur top katërshen me faqen e kryeministrit të vendit, Edi Rama, shkruan “Bluetooth”.

Por nga java që po lëmë pas në krye të kësaj renditjeje qëndron Ermali, i cili numëron në rrjetin social “Facebook” plot 1,137,841 fansa.

Programi

Krahas suksesit në rrjetet sociale, Ermali po shkakton shumë zhurmë edhe me programin e tij në “Digitalb”. Ndërsa ka vetëm një muaj që ka nisur transmetimet, “6 ditë pa Ermalin” është kthyer në një prej emisioneve më të pëlqyera të shtunën mbrëma. Në të janë ulur emra të rëndësishëm të skenës, si Elvana Gjata, Dafina Zeqiri etj.

Por rrëfimi më interesant do të mbetet pa diskutim ai i Pirro Çakos, gjatë të cilit Ermali bëri deklaratën më komike të javës. Ja çfarë tha ai: “Unë një natë kam fjetur me Pirro Çakon. Është e vërtetë! Ne kemi fjetur bashkë, por sigurisht në dy krevate të ndryshme. Ishim në Shkup dhe kishim për të regjistruar një këngë që Pirro e kishte kompozuar për mua dhe sigurisht duhej të rrinim një natë atje. Një natë ku Pirro i kishte pak hundët të bllokuara. Kjo natë ishte në fillimet tona, ishte në momentet e para të njohjes sonë dhe unë zakonisht kam shumë turp kështu. Kam turp të fle me njerëz që s’i njoh mirë. Besoj se ju ka rastisur të gjithëve që, edhe pse do flesh me një djalë, me një shok, të kesh pak siklet. Erdhi momenti që do binim të flinim, por nuk kishim asnjëri pizhama. Dhe në momentin që do hiqnim pantallonat unë thashë me vete, ‘të dal unë tani me brekë përpara këtij? Jo, kurrë’. Nejse, si përfundim Pirro u zhvesh i pari. Ky i hoqi i pari pantallonat”, ka treguar Ermali, duke e shoqëruar rrëfimin e tij me të qeshura të shumta.