Lajme Shqip Monday, 16 January 2012 11:21

Komuna e Pejës dhe ajo e Istogut, janë ndër komunat më të prekura nga erërat e fuqishme të javës së parë të janarit. Përveç shkatërrimeve të shumta materiale, edhe në sferën e bujqësisë ka shkaktuar dëme të shumta.

Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural thonë se ende nuk ka një fond të posaçëm për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, mirëpo edhe në mungesë të këtij fondi janë përkrahur fermerët e dëmtuar. Ata thonë se ende nuk ka një raport final nga komunat për dëmet e shkaktuara, ndërkaq Qeveria e Kosovës edhe këtë vit do të bëjë kompensimin e dëmeve.

Edhe gjatë vitit të kaluar ka pasur dëme të shkaktuara, sidomos në komunën e Rahovecit. Sipas ministrisë së bujqësisë është marr vendim që kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga ngricat, në sektorin e vreshtarisë, të mos bëhet në këtë fazë, por kompensimi të bëhet në formë të subvencioneve të caktuara për vreshtarët.