Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 11:40

Prishtinë – Erërat e forta në një mot me reshje dëbore kanë shkaktuar dëme në lokalitete të ndryshme të Kosovës, veçmas në komunat e Pejës dhe Istogut, ku janë rrënuar çati shtëpish e ndërtesash të tjera, mure oborresh dhe përmbysur makina, ndërkohë që janë ngritur shtabe krize.

Njoftimet nga terreni bëjnë të ditur se në Istog, ku është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, era ka rrëzuar edhe çatitë e stacionit policor dhe të pallatit të kulturës, ndërsa ka shkulur me rrënjë edhe lisa.

Një ortek dëbore, i lartë mbi 4 metra, ka bllokuar sot paradite rrugën për në qendrën e skive në Brezovicë, në komunën e Shtërpcës, ku moti i lig ka shkaktuar dëme edhe në rrjetin elektrik dhe 70 për qind e territorit ka mbetur pa energji  elektrike.

Si pasojë e erërave të forta dhe motit të lig, që ka mbizotëruar gjatë natës së mbrëmshme, janë shkaktuar prishje në rrjetin transmetues të energjisë elektrike në disa rajone të Kosovës.